Tiranw, 29 maj 2014 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është skandalizuar nga ish-Kryeministri Berisha dhe i ka kërkuar atij sot të reflektojë për sjelljen e tij.
Ky apel i Ambasadës së SHBA-së ndaj ish-Kryeministrit shqiptar ka ardhur pas akuzave që ai ka lëshuar sot në Kuvend ndaj një punonjësi shqiptar të kësaj ambasade. Sipas Berishës, ky punonjës ka tentuar të ndërhyjë në një çështje që është në hetim, falë lidhjes me një ministër të Qeverisë shqiptare.
Berisha ka akuzuar sot në Kuvend, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se ka përdorur motrën e saj, për të arrestuar gjeneralin Syrja Gjoka, pasi ajo është punonjëse në Departamentin e Drejtësisë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë e pikërisht në OPDAT (Programin e Ndihmës dhe Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë).
Në deklaratën për shtyp të Ambasadës së SHBA, shprehimisht thuhet:
“ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është e skandalizuar me pretendimin e pabazë ngritur ndaj një punonjësi të ambasadës më herët sot nga Z. Sali Berisha, anëtar i parlamenttit, gjatë një seance të parlamentit. Z.
Berisha pretendoi se një punonjës shqiptar i ambasadës ishte përpjekur të ndërhynte në një çështje hetimi penal në proces, thjesht mbi bazën e marrëdhënies së punonjësit të ambasadës me një anëtar të Këshillit të Ministrave. Pretendimi është tërësisht i pavërtetë dhe i pabazë.
Ambasada e SHBA këmbëngul për nivelin më të lartë të intengritetit dhe llogaridhënies të secilit anëtar të misionit tonë. Ambasada e SHBA i bën thirrje z. Berisha të reflektojë për sjelljen e tij,”– përfundon deklarata.
BERISHA AKUZOI SOT NE KUVEND, MINISTREN E MBROJTJES, MIMI KODHELI
Berisha ka akuzuar sot, Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli se ka përdorur motrën e saj për të arrestuar një gjeneral, Syrja Gjokën. Ai deklaroi nga foltoja e Kuvendit:
“Ore, e dini ju si është arrestuar Syrja Gjoka? Ka nisur motrën e saj, si korbë të zezë, në emër të e OPDAT-it, duke folur në emër të Misionit, ku aty është thjesht punonjëse, duke u bërë presionin më të jashtëzakonshëm prokurorëve. Dhe jo një, po dy prokurorëve: O Syrja Gjoka në litar, ose ju do humbisni, sepse kështu është vendosur. Kjo është e vërteta! Nëse ka një të ndershëm këtu mes jush, shkoni të pyesni në Prokurorinë e Tiranës se jeni deputetë! A merret një baba, një gjeneral, një ushtarak , një njeri në detyrë, kafshërisht?!",- tha Berisha.
Braçe: Berisha shpifje të pashembullt
Pas reagimit të Ambasadës Amerikane që hedh poshtë deklaratat e kryeministrit Berisha, në lidhje me një punonjëse të ambasadës, ka reaguar edhe deputeti i PS-së Erjon Braçe. Sipas Braçes, ambasada e kapi në flagrancë Berishën me një shpifje të pashembullt.
“Nuk ka ndodhur kurrë më parë në 24 vite!! Asnjëherë!!Ambasada e SHBA në Tiranë kap në flagrancë Sali Berishën në një shpifje të pashembullt!! Tërësisht i përgjegjshëm, sot në seancën e radhës së shpifjeve tha se: Motra e Mimi Kodhelit, punonjëse e misionit amerikan në Tiranë, ka ushtruar presion mbi 2 prokurorë të Tiranës për arrestimin e një ushtaraku!!!! Thjesht: Një shpifje nga shumë shpifjet e çdo të enjte të Sali Berishës!!Kjo është opozita e Sali Berishes dhe Lulzim Bashës. Kaq dinë të bëjnë. Ambasada e SHBA thotë se është e skandalizuar nga kjo deklaratë dhe i kërkon Sali Berishës të reflektojë menjëherë!!”, shkruan deputeti Braçe në Facebook.
Braçe më tej shprehet se është i shokuar se si nuk ka reaguar Prokuroria për këto shpifje “Pas secilit prej nesh në sallën e Kuvendit, tani është edhe një institucion tjetër ndërkombëtar, i sulmuar për të disatën herë nga Sali Berisha që hedh në erë shpifjet e ndyra të tij!! E enjtja tashmë është e tija dhe vetëm për shpifje. Në anë tjetër, Jam i shokuar se si Pokuroria e Republikës nuk reagon për shpifjet e Sali Berishës edhe kur përmendet vetë si institucion. Ky është kulmi”, shkruan ai.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





