Ambasada amerikane në Prishtinë, u shpreh sot e zhgënjyer me raportimin e komisionit të ri shtetëror për kufirin midis Kosovës dhe Malit të Zi.
Përmes një deklarate me tone të forta Ambasada e SHBA shprehet se “pohimet e komisionit janë të pabazuara, çorientuse dhe të gabuara“.
Ajo u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
“Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vinin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me Bashkimin Evropian dhe e lënë Kosovën e qytetarët e saj të izoluar”.
Ambasada u bën thirrje politikanëve të Kosovës që “të shikojnë përtej interesave personale partiake dhe politikës partiake, dhe që të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejtë që është e mundur”.
Të hënën zyrtarë të komisionit për shënimin e kufirit thanë se përdorimi i dokumenteve kadastralë për këtë çështje ka bërë që Kosova të humbet territor dhe paralajmëruan një raport të hollësishëm me gjetjet që sipas tyre e vërtetojnë këtë pohim.
Komisioni i ri për ri-vlerësimin e vijës kufitare me Malin e Zi është krijuar me vendim të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili vazhdon të jetë një nga kritikuesit më të mëdhenj të marrëveshjes së arritur.
Por, marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi dhe sipas zyrtarëve në Podgoricë ajo është e përfunduar dhe nuk mund të rinegociohet.
Marrëveshja ndërkaq nuk është ratifikuar nga Kosova për shkak të mospajtimeve që çuan edhe në skena të dhunshme në parlament dhe jashtë tij. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Mos ratifikimi i kësaj marrëveshjeje që është kusht për liberalizimin e vizave ka bërë që Kosova të jetë e vetme në rajonin e Ballkanit perëndimorë qytetarët e së cilës duhet të kërkojë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian./VOA