Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë pret hetim të plotë të vrasjes në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, sikundër edhe për rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në një reagim në faqen e saj në "Facebook", Ambasada amerikane shkruan se mbetet në pritje të përparimit të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit, teksa në përfundim ngre një pyetje me anë të hashtagut, se "Kush e ka radhën".
"Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë", thuhet në deklaratën e Ambasadës.





