Ambasada Shqiptare në Francë ka vlerësuar neuroshkencëtarin shqiptar Edor Kabashi, një figurë e spikatur në kërkimin shkencor ndërkombëtar. I diplomuar në Kanada dhe sot një nga drejtuesit shkencorë në Institutin Imagine në Paris, Kabashi është cilësuar si një shembull frymëzues i suksesit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në statusin e saj, ambasada thekson jo vetëm sukseset e tij në Francë, por edhe dëshirën për të kontribuar në shkencën shqiptare.

🔹 Kush është Dr. Edor Kabashi?

Dr. Kabashi ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm në Durrës. Në vitin 1995 shkoi për studime në SHBA, ku u nderua me çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë. Pas emigrimit në Kanada në vitin 1998, studioi në McGill University, ku u diplomua në biologji dhe më pas mori titullin “doktor shkencash” në neurologji e neurokirurgji në vitin 2006.

Ka fituar disa çmime të rëndësishme në karrierën e tij, si “Brain Star” (2008, 2011), “ENCALS Young Investigators Award” (2015) dhe çmimin ndërkombëtar të Institutit “Paulo Gontijo” në vitin 2016 për kërkimet mbi sëmundjen ALS.

Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor për sëmundjet neurodegjenerative në Institutin Imagine në Paris. Ai mbetet i përkushtuar që përvojën dhe njohuritë e tij t’i vërë në funksion edhe të kërkimit shkencor në Shqipëri.