Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe homologia e saj suedeze Elsa Hastad inspektuan ditën e sotme punimet restauruese në Kullën C në Durrës, të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 2 viteve më parë.

Dy diplomatet asistuan në momentin kur njëri nga blloqet e shkëputura nga kjo kullë, me peshë 24 ton u pozicionua me ndihmën e një vinçi në strukturën bazë.

Ambasadorja Kim rikujtoi se vizita e parë e bërë prej saj kur sapo ishte emëruar në këtë detyrë ishte vizita në Durrësin e shkatërruar nga tërmeti. Diplomatja amerikane nënvizoi faktin se vendi i saj ndihet krenar që merr pjesë në procesin e rindërtimit dhe restaurimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Ajo theksoi se këto monumente qëndrojnë si dëshmitarë të historisë dhe kulturës së Shqipërisë.

Ndërkohë ambasadorja amerikane kishte zgjedhur një pallto të veçantë gjatë vizitës në Durrës. Pallto kishte të qëndisur Bukuroshen e Durrësit, mozaikun e famshëm, të zbuluar në qytetin bregdetar.

Kulla C e murit rrethues të Durrësit është duke u restauruar prej muajsh tashmë për t’u rikthyer në gjendjen që ishte para tërmetit të 26 nëntorit 2019. Programi i Fondit të Ambasadorëve me një vlerë rreth 800 mijë dollarë po mundëson restaurimin e 4 objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare, mes të cilëve edhe Kulla C.

M.B.