Tiranë, 19 korrik 2014 – Kur vjen tek pasuritë, zyrtarët shqiptarë mund të krahësohen me ata europianë, shkruan sot “Gazeta Shqiptare”, e cila bën një rezyme të pasurive të deklaruara nga diplomatët tanë nëpër botë.

Në deklaratat e tyre të pasurive, ata kanë treguar se kanë banesa deri në 300 mijë euro. Arturo Kuko p.sh. ka blerë një banesë në Bruksel për 300 mijë euo. 180 mijë euro nga këto i ka marrë kredi në një bankë jashtë Shqipërisë. 

Ambasadori ynë në Greqi, Dashnor Dervishi, ka blerë ndërkohë një shtëpi në gjirin e Lalzit, në bashkëpronësi me gruan, gjysma e së cilës shkon 22 mijë euro.

Më i pasuri nga ambasadorët duket përfaqësuesi në Portugali, Edmond Trako, bashkëshortja e të cilit ka në bashkëpronësi si trashëgimi 3 apartamente banimi në Selanik të Greqisë. Po kështu, ajo ka dy dyqane në Selanik me sipërfaqe totale 250 metra katrorë. Gjithashtu Trakot kanë dy apartamente të tjera në Kallamarja të Selanikut. Të gjitha këto pasuri me qira gjenerojnë 18 mijë euro.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/