8 qershor 2015 – Ambasadori amerikan, Donald Lu tha sot gjatë konferencës për reformën në drejtësi, se disa gjyqtarë duhet të pushohen nga puna e disa të tjerë të futen në burg për korrupsion. Ai përmendi sondazhin e kryer në radhët e gjyqtarëve, ku gati gjysma e tyre tregojnë se ka korrupsion. Sipas diplomatit, sistemi gjyqësor përveçse duhet të japë llogari për korrupsionin, duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike. Po ashtu, ai sugjeroi se sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. “Sot, shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme publike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen. Komisioni Europian për Efikasitetin në Drejtësi e renditi Shqipërinë në vendin e fundit mes 25 vendeve të anketuara, përsa i përket ndjekjes penale të krimeve të rënda. Në një vend të NATO-s, që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminale nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”, tha Lu.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





