Përkushtimi i opozitës për të vijuar punën në tryezën e Reformës Zgjedhore ka nxitur reagimin e kancelarive më të mëdha diplomatike në vend. Pas SHBA dhe BE një reagim ka ardhur edhe nga ambasada Britanike e cila vlerëson vendimin dhe e sheh reformën si një faktor kyç në rrugën drejt integrimit europian.

“Lajme inkurajuese lidhur me përkushtimin e opozitës së Shqipërisë për të vazhduar angazhimin në Këshillin Politik. Është e rëndësishme të tejkalohet ngërçi dhe të përmbyllet në kohë Reforma Zgjedhore në mënyrë që të përmirësohet procesi zgjedhor dhe të ecet një hap më pranë anëtarësimit në BE.”– shkruan ambasada në reagimin e saj në faqen zyrtare në Twitter.

Por ambasadori Duncan Norman ka patur sot gjithashtu një takim me Presidentin Meta ku sipas këtij të fundit është folur për platformën e tij të 8 prillit lidhur me axhendën e integrimit.

Norman shkruan se ka diskutuar procesin e reformave me presidentin dhe nënvizon se Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar sot janë më pranë se kurrë pavarësisht Brex-it.

“Kënaqësi që u takova me Presidenti Ilir Meta sot dhe që diskutuam procesin e reformave në Shqipëri. Brex-it nuk ka zvogëluar në asnjë mënyrë rëndësinë e marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Sot jemi më pranë se kurrë.”– shkruan ai në Twitter.