TIRANË, 19 korrik 2013 – Ministri i Drejtësisë dhe deputeti i qarkut të Durrësit Eduard Halimi priti më 18 korrik 2013 në një takim pune ambasadorin britanik Nikëllës Kenën (Nicholas Cannon), me të cilin bisedoi rreth ecurisë pozitive të disa prej projekteve të përbashkëta të ministrisë dhe ambasadës britanike në Tiranë në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë, njoftoi zyra e shtypit e dikasterit.

Halimi falënderoi ambasadorin për mbështetjen e dhënë për realizmin e disa prej reformave të rëndësishme për sistemin si shërbimi i provës, mbikëqyrja elektronike, hartimi i ligjit për Gjykatën e Lartë, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale dhe Civile si dhe realizimi i marrëveshjes për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Britania e Madhe.

Në këtë tranzicion pushtetesh, Halimi shprehu bindjen se modelet britanike të zgjedhura si në ngritjen dhe funksionimin e shërbimin e provës, monitorimin elektronik duhet të jenë në qendër të vëmendjes edhe në të ardhmen. 

Ministri cilësoi si të rëndësishme ecurinë e reformës në privatizimin e shërbimeve të caktuara në sistemin e burgjeve si dhe në ngritjen e kapacitete monitoruese në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve.

Në këtë drejtim Ministri i kërkoi ambasadorit britanik që të vazhdojë mbështetjen për Ministrinë e Drejtësisë në vijim.  

Nga ana e tij ambasadori Nikëllës Kenën vlerësoi bashkëpunimin me Halimin mbi reformat e ndërmarra dhe të mbështetura nga Britania e Madhe, që janë shembull pozitiv dhe prioritare për sistemin e drejtësisë. 

Ambasadoi Kenën shprehu bindjen se do të vazhdojnë përpjekjet me qeverinë e re për përfundimin e reformës së nisur në drejtim të privatizimit të burgjeve , etj:

“Ne mbështesim përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE përmes mbështetjes për gjyqësorin dhe reformën e sundimit të ligjit. Kjo punë gjithashtu mbështet qëllimet e Mbretërisë se Bashkuar për të reduktuar krimin e organizuar që ndikon në të dy vendet tona.

Ne përdorim fonde programi të menaxhuar nga Ministria e Jashtme dhe Commonwealth-it që të sigurojë ndihmë ekspertësh për të gjithë sistemin e drejtësisë penale, duke përfshirë Gjykatën e Lartë dhe shërbimin e burgjeve.

Ne kemi përmirësuar lidhjet dypalëshe mbrojtëse me aleatin tonë më të ri të NATO-s, edhe përmes një programi vjetor me stërvitje të përbashkëta trajnuese.

Ne mbështesim zhvillimin ekonomik përmes reformave në mjedisin e biznesit dhe masat kundër korrupsionit, duke rritur potencialin e Shqipërisë për të tërhequr investime direkte të huaja”.

Ambasadori në këtë takim shoqërohej nga drejtuesi i fondacioni Slynn, i cili drejton disa projekte të mbështetura nga Britania e Madhe në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Info/

Nicholas Cannon OBE, ambasador britanik në Shqipëri

Martuar me: Alice Cannon

Fëmijë: Dy djem

Mars 2012 Ambasador britanik në Tiranë

Janar 2008 – 2011 Komisioner i Lartë Britanik në Kigali dhe Ambasador jo-rezident në Burundi

Tetor-nëntor 2007 Komisioni i Lartë Britanik Fritaun (Freetown), zëvendëskomisioner i Lartë

Gusht 2004-tetor 2007 Ministria e Jashtme dhe e Komonuelth-it (Commonwealth), zëvendësdrejtor, Departamenti i Afrikës (Jugore)

Maj-gusht 2004 Ministria e Jashtme dhe Komonuelth-it, Departamenti Irak (Detyrë e përkohshme)

Shkurt 2003 – Prill 2004 Asistent, 10 Dauning Strit (10 Downing Street, rezidenca e Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar)

Gusht 2000-dhjetor 2002 Komisioni i Lartë Britanik Islamabad, Sekretar i Parë (Politik) pastaj Këshilltar politik në detyrë (Shtator 2001)

Prill-gusht 2000 Trajnim në gjuhën urdu

Gusht 1997-mars 2000 Ministria e Jashtme dhe Komonuelth-it, Drejtues Seksioni, Departamenti i Evropës Jugore

Korrik 1994-korrik 1997 Ambasada Britanike Nikozia, Sekretar i Dytë (Politik)

Janar-korrik 1994 Trajnim në gjuhën turke

Prill 1992-dhjetor 1993 Ministria e Jashtme dhe Komonuelth-it, Zyra e Pritjes, Departamenti i Komunitetit Evropian (I jashtëm)

Janar 1990-prill 1992 Ambasada Britanike Paris, Sekretar i Tretë pastaj Sekretar i Dytë (Politik)

Janar 1989-dhjetor 1989 Ministria e Jashtme dhe Komonuelth-it, Asistent i Zyrës së Pritjes, Departamenti Hong Kong

Janar 1988-dhjetor 1988 Ministria e Jashtme dhe Komonuelth-it, Asistent i Zyrës së Pritjes, Departamenti i Marrëdhënieve Ekonomike

Ambasadorët përfaqësojnë Madhërinë e Saj Mbretëreshën dhe qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në vendin në të cilin ata janë emëruar. Ata janë përgjegjës për drejtimin dhe punën e ambasadës dhe konsullatave të saj, duke përfshirë punën politike, tregtinë dhe investimet, shtypin, marrëdhëniet kulturore si dhe shërbimet e vizave dhe ato konsullore.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/