DURRËS, 5 mars 2015 – Ambasadori i ri francez në Tiranë, Shkëlqesia e tij z. Bernard Fitoussi zhvilloi një vizitë njohëse në Durrës. Vizita e ambasadorit ishte mjaft ndryshe nga vizita të bëra më parë në Durrës nga ambasadori gjerman, anglez apo kinez, të cilat përgjithësisht kanë qenë modeste në shpurat shoqëruese dhe në larshminë e vendeve të vizituara dhe personaliteteve lokale të takuar.
Shpura e ambasadorit udhëtonte me tri makina, me së paku 6 shqiptarë (2 femra dhe katër meshkuj, shoferë, përkthyes, specialistë, personel sigurie etj.) në to. Ambasadori ishte i shoqëruar nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë Franco-Shqiptare, një njohës i vjetër dhe i gjithanshëm i Shqipërisë, që në kohën e Ramiz Alisë, kur bashkëpunonte me tekniko-importin për operacione import-eksporti, që nga bimët mjekësore, rieksport cigaresh me motorskafë deri te përgjuesit e pistoletat elektrike (teasers). Ambasadorin e shoqëronte në vizitën e tij në Durrës, edhe atashehu për sigurinë e brendshme z. Jean-Louis Jacquinet.
Ambasadori dhe shpura e tij organizuan një varg vizitash në Durrës. Ata vizituan biznese të sukseshme franko-shqiptare, vizituan ambientet e Aleancës Franceze në Durrës, vizituan Drejtorinë e Autoritetit Portual Durrës, Policinë kufitare në Terminalin e pasagjerëve si edhe Drejtorinë e Doganës Durrës. Në këtë vizitë ra në sy njohuritë e gjera e speciale të ambasadorit Fitoussi për operacionet e procedurat portuale dhe ato policore vecanërisht te këto të fundit përsa i përket dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit dhe të identifikimit.
Çuditërisht ambasadori francez, në të martën e tij durrsake nuk vizitoi Bashkinë e Durrësit. Natyrisht nuk pati as takim me Kryebashkiakun Dako. Një “bojkot” i tillë na kujtoi një praktikë të ngurtë të ish ambasadores amerikane Marsi Ris, e cila e vizitoi Durrësin nja 13-14 herë.
Vizitoi lloj – lloj biznesesh, aktivitetesh kulturore, institucionesh, lokacione ushtarake, vizitoi deri edhe ish-kopëhtin Teufik Skilja, ku trajtohen fëmijë me zhvillim të vonshëm mendor, por asnjë herë nuk i shkeli këmba në Bashkinë Durrës. Në asnjë rast edhe në ceremoni zyrtare qëlimisht nuk shtrëngoi duart me ish-kryebashkiakun Lefter Koka.
Sapo Vangjush Dako u ul në kolltukun e lënë bosh nga z. Koka, ambasadorja Ris vizitoi bashkinë dhe pati një takim jashtëzakonisht miqësor e të ngrohtë me Kryebashkiakun Dako, madje për takimin nuk u njoftua paraprakisht as Prefekti i atëhershëm Pajuni.
Mesazhi amerikan në vitin 2007 ishte i qartë, elokuent e mjaft domethënës. Sot “bojkoti” Fitoussi ndoshta ka për qëllim të japë të njëjtin mesazh. Kryebashkiaku Dako ndonëse tosk në origjinë ka adoptuar parimin e kuvendeve të burrave të Gegërisë, ku përshëndetej: "Tungjatjeta Bajraktar (SHBA), tungjatjeta o ju të tjerët! ".
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





