SARANDE- Jemi të angazhuar për zgjidhje sa më të shpejtë të shkakut të kthimit të shtetasve shqiptarë nga policia greke dhe kemi lejuar të kalojnë, megjithë pasaktësitë e gjetura në shkrimin e toponimeve greke në pasaportat biometrike të shqiptarëve". Kështu është shprehur dje, gjatë një takimi në Bashkinë e Sarandës, Leonidhas Rokanas, ambasador i Republikës së Greqisë në Tiranë. Megjithatë ai shtoi se nuk është korrekte të mos shkruhen në trajtën ndërkombëtare emrat e qyteteve apo fshatrave greke, kur përdoren për dokumenta zyrtarë me përdorim ndërkombëtar. Sipas tij, kjo është një normë e gjithëpranuar dhe që është e detyrueshme të aplikohet për të gjitha shtetet.
"Nuk mund të shkruhet në pasaportë Korfuz-Greqi, që është e saktë sipas gjuhës shqipe, por jokorrekte për emërtimin ndërkombëtar, që do të duhej të shkruhej Corfu-Grecce", – ka sqaruar ambasadori Rokanas. Ai i është referuar për këtë element edhe praktikës së shtetit grek për shtetasit e vet, që kanë lindur në kryeqytetin e Turqisë, i cili në dokumentet zyrtarë shkruhet Instambul, megjithëse në Greqi njihet si Konstandinopul.
Sipas Rokanas ky shqetësim ka qenë temë e bisedimeve me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë duke vënë në dukje se ka një predispozicion për zgjidhje sa më të shpejtë. Sipas tij, ky është një handikap që nuk duhet të vazhdojë dhe me vullnetin e dy palëve po kapërcehet e do të gjendet zgjidhja më e mirë. "Por deri sa të arrihet tek zgjidhja, me dëshirën e mirë po vendoset një memorandum mirëkuptimi dhe fakt është që kemi lejuar pa u penguar edhe shtetas me këto pasaktësi në pasaportat e tyre biometrike, pa bërë asnjë dallim në janë shqiptarë apo homogjenë greke", – tha Rokanas. Sipas tij, kjo është një pasaktësi teknike, zgjidhjes së të cilës nuk i vlejnë ngarkesat apo ngjyrimet politike, që i vishen. Gjatë takimit të tij në Bashkinë e Sarandës, ambasadori Rokanas, që shoqërohej edhe nga Nikolaos Kotrakoi, konsull i përgjithshëm i konsullatës greke në Gjirokastër, u trajtuan edhe shqetësime të tjera. Lidhur me marrëveshjen e re për autobusat e linjave të transportit Greqi-Shqipëri, ai tha se do të rishikohet dhe për këtë kanë marrë takim me minsitrin shqiptar të Transporteve, Sokol Olldashi. Nënkryetari i bashkisë Jorgo Mitro, që i priti diplomatët grekë, së bashku me Mariel Muratin, drejtor i kabinetit të kryetarit Çipa, i kërkoi ambasadorit Rokanas të ndërhyhet për kapërcimin e prapambetjes në punimet e autostradës Qafëbotë-Sarandë, ku sipërmarrëse është firma greke AEGEK.
Ai ka sqaruar se detyrimet nuk janë përmbushur nga pala shqiptare për këtë aks shumë të rëndësishëm rrugor. Një tjetër kërkesë që i është bërë z.Rokanas, ka qenë për mundësimin e specializimit të mjekëve të Sarandës në spitalin Universitar të Janinës, sidomos për specialitete që mungojnë, kërkesë kjo që është mbajtur shënim prej tij.