Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier, ka konfirmuar përsëri qëndrimin e SHBA-së se ajo e dënon fuqishëm sulmin e së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të vendit. Pas takimit të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori u shpreh se në këtë pikë, Amerika nuk është në një pozicion të thotë se kush mund të fshihet prapa sulmit. Po ashtu, Hovenieri tha se SHBA po punojnë me institucionet e Kosovës për të gjetur përgjegjësit.

“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë në një pozicion të tregojnë se kush mund të jetë prapa sulmit, është shumë herët. Ne i kemi ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës në hetime. Ne ende nuk e dimë se kush është fajtori”, – tha ambasadori amerikan.

“Mendojmë se është e rëndësishme që ata të cilat janë përgjegjës, të identifikohen dhe mbajnë përgjegjësi. Këto akte të dhunshme janë të pafalshme dhe e vendosin Kosovën dhe qytetarët në rrezik”, – tha ai.

Sulmi terrorist në Zubin Potok, konkretisht në kanalin e Ibër-Lepencit, ndodhi mbrëmjen e së premtes. Lidhur me rastin, një personi i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh.