1 qershor 2014 – Në prag të vendimit të BE-së, për t’i dhënë ose jo Shqipërisë statusin e vendit kandidat, ambasadori i Italisë në vendin tonë shprehet optimist se Shqipëria do të marrë statusin. Gjatë një aktiviteti të organizuar në Fier, me rastin e javës kombëtare të Italisë, ambasadori Massimo Gaiani tha se Shqipëria e meriton statusin në BE.
“Jemi në muajin kur do merret vendimi për statusin. Pavarësisht vonesës Shqipëria do e marrë statusin. Italia do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë.”-deklaroi ambasadori Gaiani.
Komisioni Europian pritet të nxjerrë këtë muaj një raport për ecurinë e reformave shqiptare, së bashku me një vendim të vendeve anëtare mbi statusin e vendit kandidat.
Vendet anëtare të Bashkimit Europian kërkuan në muajin dhjetor më shumë kohë për të gjykuar mbi ecurinë e reformave në Shqipëri, sidomos forcimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendet anëtare pritet të vlerësojnë përsëri këto ditë kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





