Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj.

“Unë vetëm mund ta përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë ta shohin. Ajo që shpresojmë ta shohim është një shtyrje e zbatimit të kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë për hartimin e një plani dhe një strategjie, dispozita që faktorizojnë disa realitete, shqetësimet e komunitetit por edhe disa praktike”.

Hovenier tha se beson fuqishëm se nuk ka informacion të mjaftueshëm publik për t’i shpjeguar disa çështje në lidhje me rregulloren e re të BQK-së. Ai tha se SHBA-ja e respekton, mbështet dhe mirëpret zbatimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës dhe rolin e Bankës Qendrore në “rregullimin e sektorit financiar”. Ambasadori amerikan tha se e la qeverinë ta shqyrtojë se “deri në çfarë mase është e gatshme të rishqyrtojë se si do ta zbatojë këtë rregullore”.

“Unë mund të flas vetëm për atë që kërkojnë Shtetet e Bashkuara, që është një shtyrje”, tha Hovenier, duke shpresuar që tranzicioni i prezantuar nga Qeveria “t’i marrë parasysh këto shqetësime.

“Gjithçka që mund të them është se ne do të shpresonim që qeveria të bashkëpunojë me ne për këtë. Kjo është ajo lloj gjëje që ne kërkojmë në partneritet dhe në masën që qeveria është e gatshme të jetë partnere në adresimin e këtyre shqetësimeve”, tha Hovenier.

Rregullorja e BQK-së – që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt – parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja.

Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit. SHBA-ja Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë, e kanë kritikuar që disa ditë Qeverinë e Kosovës për mosshtyrje të zbatimit të rregullores. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se do të sigurohet tranzicion i lehtësuar. Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, dinari serb ka qarkulluar qysh prej pasluftës. Shteti serb ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Ligji për Financat e Pushtetit Lokal në Kosovë lejon dërgimin e ndihmave financiare nga Serbia. Ky vend i ka ndarë 139 milionë euro për serbët në Kosovë për vitin 2024 – rreth 11 milionë më shumë sesa më 2023. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kritikuar ashpër vendimin e BQK-së, duke e konsideruar vendimin e autoriteteve si tentim për dëbim të serbëve nga Kosova. Presidenti serb, Aleksadar Vuçiq, është zotuar se Serbia do të gjejë institucione që do të marrin licenca për të mundësuar dërgimin e parave për serbët në Kosovë.

Kreu i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka përmendur ditë më parë integritetin financiar si arsyen kryesore për zbatimin e rregullores. Sipas tij, vendimi e mbron Kosovën “nga paratë e falsifikuara, nga financimi i terrorizmit, e mbron nga përdorimi i valutave që nuk janë origjinale”. Të tjerë përmendin evazionin fiskal, në mungesë të kontrollit mbi dinarin.

Rregullorja e BQK-së parasheh që valuta e vetme për kryeje të pagesave në Kosovë të jetë euroja. Kështu, serbëve të Kosovës u pamundësohet përdorimi i dinarit./ Revista “Monitor”