Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë.
Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.
Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe.
Me gjithë kundërshtimin e vendeve të QUINT-it dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura duhet të hapet dhe se “nuk është kundër askujt”.
Paralajmërimi për hapjen e urës u bë pasi autoritetet e Kosovës më 5 gusht mbyllën zyrat e Postës së Serbisë në veri, veprim që është parë nga aleatët e Kosovës si “i pakoordinuar dhe i njëanshëm”.
Hovenier tha se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri dhe Qeveria e tij në disa aspekte.
“Duhet të them se cilësia e partneritetit tonë nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.
Ai shtoi se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.
Radio Evropa e Lirë: Do t’ia filloj me zhvillimet e fundit. Përse nuk është kohë e përshtatshme për të hapur urën në Mitrovicë, për të cilën janë pajtuar edhe Kosova edhe Serbia në Bruksel?
Jeffrey Hovenier: Me të vërtetë më vjen mirë që e shtruat këtë pyetje sepse mendoj se kjo çështje është keqkuptuar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë fuqishëm se nuk është koha për të rihapur urën për qarkullim të automjeteve. Më lejoni të sqaroj diçka.
Ne besojmë se ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, siç e thatë edhe ju, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Është arritur një marrëveshje, por ne i kemi kërkuar Qeverisë që të mos vazhdojë me këtë çështje, tash për tash, dhe këtë nuk e kanë bërë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kolegët e mi të QUINT-it kanë qenë me mua në një takim me kryeministrin (e Kosovës, Albin Kurti) për këtë çështje.
Arsyeja pse e kërkojmë këtë është se besojmë se ka rrezik të njëmendtë që lidhet me një veprim të tillë tani, si dhe besojmë se ky rrezik shton kërcënimin e mundshëm për dhunë dhe probleme të tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë, të cilët po punojnë për të ofruar paqe dhe siguri në Kosovë.
Dhe, ne i marrim shumë seriozisht veprimet që mund të ndikojnë në sigurinë e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën.
Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani.