Ambasadori italian në Tiranë Alberto Cutillo është shprehur pozitivisht për hapjen e negocitatave mes Shqipërisë e BE-së këtë muaj, duke deklaruar se pavarësisht se ka një sërë shtetesh skeptike, Italia do të japë kontributin e saj për të sheshuar hijet e dyshimit.
Në një intervistë për Oranews, Cutillo u shpreh se sfida nuk është e vogël, porse Italia “kërkon të luajë deri në fund” mbi asistencën e saj për Shqipërinë sa më pranë BE-së.
Cutillo: Ne besojmë ende se Këshilli Europian i qershorit është ai që do të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. E dimë që jo të gjithë vendet anëtare janë të bindur. Kemi ende rreth një muaj kohë për të ndihmuar ata që kanë ende dyshime për t’i kapërcyer ato.
Detyra kryesore i takon natyrisht Shqipërisë dhe e përsëris se kur them Shqipërisë, kam ndërmend sigurisht qeverinë, autoritetet duke përfshirë edhe qytetarët shqiptarë që mund të japin një kontribut në këtë çështje. Italia do të ndihmojë në këtë rrugë, do të dialogojmë me partnerët që kanë ende dyshime dhe të shpresojmë që nga tani e deri në qershor të kapërcehen.
Është një sfidë, nuk është e lehtë por duam ta luajmë deri në fund.





