*Ambasadori amerikan rrëfen historinë e trishtë të një gruaje shqiptare
Në tryezën e reformës për drejtësinë, ambasadori i SHBA-së, foli sërish hapur për gjendjen e rëndë të sistemit tonë të drejtësisë dhe nevojën e menjëhershme për reformimin e tij. Një nga arsyet që pse ambasadorit amerikan i intereson kaq shumë reforma në drejtësi, është dhe historia e një gruaje shqiptare dhe se si një gjyqtar e privoi nga fëmijët e saj.
“Ajo ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh vuajtjeje, ajo më së fundi gjeti kurajën ta linte bashkëshortin për sigurinë e fëmijëve të saj. Kur shkoi në sistemin gjyqësor për të kërkuar drejtësinë gjeti vetëm më shumë vuajte. Gjyqtari i dha një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë për dy nga tre fëmijët e saj. Kjo i theu zemrën.
Pse një gjyqtar do të vendoste në favor të një personi të tillë? Një arsye e thjeshtë: korrupsioni! Korrupsioni në drejtësi i lejon gjyqtarët, politikanët të mbushin xhepat me para të pista. Kjo shkatërron jetët e njerëzve normalë, të ndershëm. Në një sistem të korruptuar, viktimat janë shpesh gra, të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa të varfrit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat. Sa nga ne kanë dëgjuar histori të tilla? Sa herë iu vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar dhe të paaftë? Dhe sa kohë duhet të presim, që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?”, tregoi Donald Lu.





