Ambasadori i SHBA-së Donald Lu kërkon nga partitë transparencën e financave dhe largimin e politikanëve të korruptuar dhe me lidhje kriminale. Duke folur nga tryeza e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë për Reformën zgjedhore, Lu tha se në zgjedhje kishte kandidatë të inkriminuar, militantë dhe gangsterë që u munduan ta prishnin procesin.

“Kur vizitova qendrat e votimit në Shqipëri gjatë zgjedhjeve vendore të verës së shkuar pashë më së shumti të njëjtën gjë: Persona që punonin shumë sikurse nëna ime, të përkushtuar ta bënin punën sa më mirë të mundnin. Punonjësit me të cilët u takova ishin njerëz të zakonshëm, ndaj unë u inatosa kur pashë militantët e partive që kërkonin të minonin punën e këtyre vullnetarëve të ndershëm në qendrat e votimit.

Disa ambasadorë të BE-së dhe unë pamë grupe të mëdhenj gangsterësh të rinj në moshë jashtë qendrave të votimit që dukshëm donin të frikësonin votuesit. Shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe votimit në grup. Dhe sikurse e dimë, disa prej kandidatëve kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tratativë ndaj demokracisë shqiptare”, deklaroi Lu.

Ambasadori theksoi gjatë fjalës së tij se partitë politike kanë nevojë të marrin seriozisht detyrimin për të siguruar transparencën e financave partiake. “Nxisim të gjithë partitë politike të prezantojnë auditin ndërkombëtar të financave të partive dhe të fushatave të tyre dhe t’i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve. Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletët e votimit”, tha Lu.