Ambasadori amerikan Donald Lu, përshëndeti operacionin “Forca e Ligjit” e prezantuar nga Ministria e Brendshme dhe për herë të parë vendosi afate se kur pret rezultate nga ky operacion.
Lu tha sot se SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtare të Shqipërisë presin arrestimin e disa “peshqve të mëdhenj”, e për këtë ai dha edhe kohë.
“Në luftën ndaj krimit të organizuar, ne presim rezultate. Çfarë presim? Presim që ky plan agresiv i qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa ‘peshqve të mëdhenj’ në fillim të vitit të ardhshëm dhe që kjo të vijojë edhe gjatë vitit 2018. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë”, tha Lu në prezantimin me detaje të operacionit “Forca e Ligjit”.
Në aktivitet ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ambasadorja e BE-së Vlahutin, si dhe përfaqësues të FBI-së, Prokurorisë, deputetë e drejtues të Policisë së Shtetit.





