TIRANE- Nëse djali im shpallet nga drejtësia shqiptare fajtor, le të marrë dënimin që i takon". Kështu shprehet ambasadori i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Behar Bejko në një lidhje telefonike". 

Pas lajmit të publikuar në media për plagosjen e 24- vjeçarit nga Fieri, Martin Nonaj nga djali i ambasadorit shqiptar në Arabi, Aglind Bejko, ambasadori ka pohuar se "nuk është e drejtë që të njolloset figura e ambasadorit".

"Askush nuk mban përgjegjësi për veprimet e familjarëve të tij, djali im ka jetën e tij, përgjigjet vetë për veprimet që bën", pohon Bejko. Vetëm pak ditë më parë, në zonën pranë shkollës "Vasil Shanto", 24-vjeçari, Aglind Bejko plagosi me armë zjarri bashkëmoshatarin e tij nga Fieri, Martin Nonaj. Ky i fundit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse ka marrë dy plumba në këmbë. 

Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur për shkaqe banale. Ndërkohë, në kërkim është shpallur djali i ambasadorit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe. 

Z.ambasador, në media është publikuar lajmi që djali juaj, Aglindi është përfshirë në një plagosje në Tiranë. Juve jeni në dijeni të këtij fakti? 

Unë e kam marrë vesh përmes medias, sepse ende nuk kam folur me djalin tim. Por, ajo që dua të them unë është fakti se është puna e drejtësisë ajo që duhet të vendosë nëse djali im është fajtor apo jo. Në momentin që drejtësia shqiptare do të gjykojë se djali im është fajtor, atëherë le të marrë dënimin që i takon, sipas drejtësisë shqiptare. 
 

Emri juaj është lakuar ditën e djeshme në një pjesë të mediave shqiptare, juve si e shikoni këtë fakt? 

Unë i kam parë gazetat se çfarë kanë shkruar dhe nuk më duket normale që të njolloset figura e ambasadorit, që të hidhet poshtë e gjithë puna që ai ka bërë për vendin e tij. Jam i sigurt që edhe ti nuk mban dot përgjegjësi për veprimet e familjarëve të tu, ashtu si edhe unë nuk e di se çfarë bën djali im. Ai ka jetën e tij, pasi prej dy vitesh jeton në Tiranë dhe përgjigjet vetë për veprimet që bën. Por, figura e një ambasadori nuk mund të njolloset si pa të keq, nëse djali im është fajtor me të do të merret drejtësia.