Ambasadori rus takime me drejtues të shoqatës së miqësisë, një gjimnazi privat dhe homologun kavajas në Moskë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse njofton se gjatë muajit gusht, ambasadori i Rusisë në Shqipëri Akasandër Romanoviç Karpushin ka qenë në Durrës, ku u takua me kryesinë e degës së shoqatës së miqësisë “Shqipëri-Rusi”.

Në qendër të vëmendjes së vizitës ishte hapja në qytetin e Durrësit të kurseve falas të gjuhës ruse për të gjithë ata që kanë dëshirë.

Ambasadori rus vizitoi gjithashtu shkollën e mesme jopublike “Ibrahim Kodra”, ku u takua me mësues dhe drejtues të shkollës, si dhe u njoh me mjediset, në të cilat planifikohet të zhvillohen kurse të rusishtes. Një temë e veçantë në bisedë iu kushtua përfshirjes në programin shkollor të mësimeve fakultative të gjuhës ruse.

Po ashtu MPJ e Rusisë njofton se më 8 gusht 2016, ambasadori rus Karpushin u takua me homologun e tij shqiptar në Moskë, kavajasin Arben Gazioni, i cili ndodhej në Tiranë, qysh nga 13 korriku, për të marrë pjesë në Konferencën vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë.

Sipas burimit zyrtar të Kremlinit, krerët e misioneve diplomatike diskutuan mbi të gjithë kompleksin e marrëdhënieve të dyanshme, duke shprehur interes për zhvillimin e tyre të gjithanshëm mbi bazën e respektimit të interesave të ndërsjellë.

Veçanërisht vëmendje iu kushtua organizimit të mbledhjes së radhës komisionit ndërqeveritar ruso-shqiptar dhe zhvillimit të konsultimeve midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme.

TH.M.