MOSKË, 20 shkurt 2013– Shqipëria ka në plan të anulojë regjimin e vizave për turistët rusë për një periudhë 5-mujore (nga qershori deri në tetor të vitit 2013), bëri të ditur, më 20 shkurt 2012, ambasadori i Shqipërisë në Federatën Ruse, Sokol Gjoka, njofton radio-kompania ruse “Golos Rossii”.

Të mërkurën ora 14.00, sipas kohës lokale, ambasadori shqiptar në Moskë, Sokol Gjoka, organizoi një konferencë shtypi në qendrën ndërkombëtare multimediale të agjencisë së lajmeve “RIA Novosti”.

Gjoka tha se regjimi, ku rusët mund të qëndrojnë pa vizë në Shqipëri për 90 ditë, ka funksionuar për katër vjet rresht dhe i shërben rritjes të fluksit të turistëve nga Rusia në Shqipëri.

Gjoka përmendi se “autoritetet shqiptare po negociojnë me Rusinë për një marrëveshje konsullore, që ka për qëllim lehtësimin e regjimit të vizave".

Ambasadori foli edhe mbi arritjet në bashkëpunimin Rusi-Shqipëri gjatë vitit 2012, duke i quajtur “më tepër se të mira”.

Gjoka deklaroi: “Kemi vijuar punën për zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore. Po vazhdojnë edhe kontaktet nëpërmjet kanaleve diplomatike”.

Ambasadori Sokol Gjoka shprehu shpresën se raportet midis dy vendeve në të ardhmen “do të njohin zhvillim aktiv në fusha të ndryshme”.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/