Në konferencën “Gjithçka për drejtësinë”, që po zhvillohet në Tiranë me ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor është i pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

“Padrejtësia në çdo lloj vendi është kërcënim. Një sistem funksional drejtësie është themeli i një demokracie. Jemi krenarë që kemi mbështetur Shqipërinë për Reformën në Drejtësi”, u shpreh ai ndër të tjera.

“Janë qytetarët shqiptarë ata që i kanë kërkuar këto reforma. Shqiptarët e kanë shpresën te kjo reformë në drejtësi. Shumë pak vende në botë e kanë bërë këtë transformim të thellë. Rreth 100 gjyqtarë dhe prokurorë nuk janë më pjesë e sistemit. Falenderojmë ata gjyqtarë e prokurorë që nuk e humbën busullën e integritetit. Reforma në drejtësi është pjesë e historisë moderne të Shqipërisë. Të mos ketë ngadalësim në mes të këtij rrugëtimi, do ju qëndrojmë pranë. Nuk ka demokraci të vërtetë pa drejtësi që mbron të drejtat themelore”, shtoi ai më tej.