TIRANE – Burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme deklaruan dje për “GSH” se shkarkimi i Admirim Banajt nga posti i ambasadorit në Arabinë Saudite u realizua me dekretin e 20 dhjetorit të vitit të kaluar.
Sipas MPJ-së, Banajt i ka mbaruar mandati në atë detyrë dhe largimin e tij, dikasteri i diplomacisë e ka propozuar që në nëntor të 2012. “Ministria e Punëve të Jashtme, në mbështetje të nenit 21, pika 2 dhe nenit 22 të pikave 2 dhe 3 të ligjit nr. 9095, dt 03.07.2003 “Për shërbimin e Jashtëm të RSH” ka propozuar më datë 19.11.2012, lirimin nga detyra të z. Admirim Banaj, ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite (rezident), dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RSH në Mbretërinë e Bahrejnit, Sulltanatin e Omanit, në Kuvajt dhe në Republikën e Jemenit, (jorezident). Arsyeja e këtij propozimi është mbarimi i mandatit për kryerjen e kësaj detyre. Ju njoftojmë që më pas ka vijuar procedura në Presidencën e RSH. Çdekretimi i zotit Admirim Banaj në Presidencën e RSH është bërë në datë 20.12.2012", thuhet në sqarimin e burimeve të Ministrisë së Jashtme.
Emri i Banajt u lakua ditët e fundit nga opozita si pjesëmarrës në një ndërmjetësim mes biznesmenit pakistanez Zafar Ansar dhe vajzës së kryeministrit, Argita Malltezit. Deputeti i PS-së, Taulant Balla tha në dhjetor se Banaj e ka drejtuar Ansarin në studion ligjore të Malltezit. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në vijim të denoncimit të pasurisë së familjes së kryeministrit Sali Berisha bëri publike disa email-e që Argita Berisha ka shkëmbyer me ambasadorin e Shqipërisë, A. Banaj dhe më pas ky i fundit me biznesmenin Zafar Ansar. Në një konferencë për shtyp Balla akuzoi pak ditë më parë vajzën e kryeministrit se nëpërmjet njohjeve të babait të saj ka mashtruar me zyrën e saj të konsulencës investitorët e huaj në vendin tonë.
Banaj për Ansar: “Nëse ju fort besoni se ajo (Argita) po mashtron ose abuzon, atëherë unë sinqerisht tërhiqem nga e gjithë kjo histori dhe shpreh ndjesën time më të thellë që ju çova dhe ju shtyva në duar të gabuara”. Argita për Ansar: “Më vjen keq që po ju vendos nën një presion të tillë, por duhet të kemi vendimin tënd sa më shpejt të jetë e mundur, sepse unë jam nën presion nga agjentët e tokave”. ”Biznesmeni i huaj vjen për të takuar kryeministrin pastaj shkon në zyrën e konsulencës së vajzës së kryeministrit dhe pas faturave ndjehet i mashtruar pastaj ikën” tha Balla. Duke iu kthyer pasurisë së fëmijëve të kryeministrit, Balla theksoi se problemi i opozitës është se ata e kanë kthyer pushtetin në aktivitet fitimprurës, ndërkohë Balla kritikoi edhe sloganin e fushatës elektorale të PD-së. ”Por të dashur qytetarë, problemi në këtë mes nuk është as Argita, as Shkëlzeni, por babai i tyre kryeministër, që edhe sloganin e fushatës e ka ‘PËR PARA!’. Për para Saliu vodhi votat në 2009-ën. Për para Saliu nxori Shqipërinë në shitje. Për para Saliu e bën të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë, duke u sjellë me shqiptarët si të ishin një popull që nuk meriton më shumë se sa këtë spektakël banaliteti të përditshëm në kulmin e një krize ekonomike rrënuese. Ja pse fushatës së tij për para ne do t’i kundërvëmë përpjekjen e përditshme për ndryshim, dinjitet, rilindje shqiptare”, tha Balla pak ditë më parë.





