DURRES, 23 maj 2013– Ambasadori Arvizu dhe bashkëshortja e tij, Anne Cunningham, kanë vizituar repartin e veçantë për bebet “Djepi i Ëngjëllit”, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet. 

“Ata u pritën përzemërsisht nga Ministri i Shëndetësisë, Dr. Kosova, Drejtori i Spitalit, Robert Qirko, punonjësja sociale Mira Asllani, si dhe administratorë dhe të tjerë pjestarë stafi të spitalit. Ambasadori dhe bashkëshortja e tij vizituan Djepin e Ëngjëllit, i cili është një repart i veçantë për bebet që braktisen pas lindjes.”- njofton zyrtarisht Ambasada amerikane në Tiranë.

Ky repart merr mbështetje të vazhdueshme nga Organizata për Mbështetjen e Fëmijëve Shqiptarë të Braktisur (OSAAB), e cila është ngritur nga Claudia Janiszeëski, presidentja dhe themeluesja e organizatës. 

Ambasadori, Anne dhe kolegë të tjerë të Ambasadës treguan mbështetjen e tyre për fëmijët, duke marrë me vete pelena dhe ushqime, të dhuruara nga stafi i Ambasadës Amerikane. Gjatë vizitës së tyre, Ambasadori dhe Anne mbajtën në krahë disa bebe të sapolindura, si dhe folën me infermieret për dashurinë e pamasë që ata kanë për vajzën e tyre të adoptuar, Yukiko. 

Gruaja e ambasadorit, Anne është një vizitore e rregullt e këtij reparti, ku ndihmon infermieren duke mbajtur dhe përkëdhelur fëmijët. Ambasadori u prek nga kujdesi që i kushtohej fëmijëve, dhe foli mbi nevojën për dhembshuri dhe rrethanat e vështira nën të cilat mamatë, për çfarëdo arsye, braktisin fëmijët e tyre.

/v.q. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/