Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi sot takim me gjyqtarët e posaçëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Takimi vjen vetëm pak ditë pasi ambasadorja amerikane shkroi në Twitter se ka përpjekje në vend për të joshur e frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë.
E dërguara e Washingtonit në Tiranë i dërgoi një mesazh politikës shqiptare për të qëndruar larg punëve të drejtësisë, e të heqin dorë nga shantazhi prokurorëve që kanë nën hetim subjekte që vijnë nga politika.
Ajo paralajmëroi se veprimet e atyre që tentojnë të minojnë punën e reformës në drejtësi, nuk mbeten pa u mbajtur shënim.
“Është koha për të thyer modelet e vjetra të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në sistemin gjyqësor. Shqipëria duhet të ecë përpara, jo prapa, madje as të qëndrojë në vend. SHBA po i kushton vëmendje të gjitha zhvillimeve dhe do “të vazhdojë të mbështesë fuqishëm zbatimin e reformës në drejtësi”, u shpreh ambasadorja.
Në kushtet kur herë pas here anatemohet reforma në drejtësi, ambasadorja Kim thotë se “gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kryejnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, me integrite”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet e shumta për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve me fjalë të tjera, për t’u zvarritur Shqipërinë në të kaluarën”, tha Kim.