Ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq zhvilloi një takim në bashkinë dhe prefekturën e qytetit të Durrësit.

Sot paradite ambasadorja Barsacq e shoqëruar nga koloneli Nicolas Coussiere, kapiten i fregatës franceze La Fayette (FLF) 713 “Aconit”  zhvilluan një vizitë në bashkinë e qytetit ku u pritën nga kryebashkiakja Emiriana Sako.

Fillimisht zonja ambasadore uroi kryebashkiaken në detyrë për fitoren e zgjedhjeve të pjeshme vendore, pastaj u interesua nëse Durrësi përfshihet në shoqatat bregdetare, funksionimin e menaxhimit të portit, ruajtjen e mjedisit në përgjithësi dhe atij detar në veçanti, vizitat e turistëve francez në Shqipëri dhe Durrës, duke sjellë edhe eksperiencën e saj në fushën e marinës dhe administrimin e porteve.

Zonja ambasadore këshilloi dialog të gjërë e të thelluar me të gjitha institucionet dhe subjektet private për të zgjedhur problemet e qytetit. Me theks të veçantë solli shqetësimin e emigracionit sidomos të të rinjëve shqiptarë. Gjithashtu ajo u interesua për mësimin e gjuhës franceze dhe zgjerimin e aleancës.

Në vijim të vizitës së saj, ambasadorja franceze zhvilloi një takim me prefektin e Durrësit, Emiljano Jani.

Zoti Jani shprehu kënaqësinë për vizitën e ambasadores franceze dhe kapitenin e fregatës franceze La Fayette (FLF) 713 “Aconit.

Më pas zoti Jani e njohu ambasadoren me resurset ekonomike dhe të transportit detar në Durrës si dhe punën që po bëhet për ngadalësimin e emigracionit të të rinjëve shqiptarë dhe krijimin e kushteve për të qëndruar në Shqipëri.

Si detar, zoti Jani solli edhe eksperiencat e tij gjatë lundrimeve në Mesdhe dhe qëndrimin në portet franceze të Setes dhe Marsejës.

Gjithashtu zoti Jani theksoi nevojën e kualifikimit të detarëve si për transportin detar ashtu edhe në sektorin e peshkimit.

Gjatë bisedës, zoti Jani i bëri një pyetje zonjës ambasadore mbi mundësitë dhe shanset e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përgjigjen e ambasadores ju mund ta ndiqni në audion e mëposhtme.