Një grup deputetësh nga parlamenti francez ka zhvilluar sot një vizitë në Bashkinë e Korçës, ku është takuar me kryetarin e bashkisë, të cilit i kanë siguruar mbështetje në drejtim të turizmit dhe pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

E pranishme ka qenë edhe ambasadorja franceze, Christina Vasak e cila është pyetur lidhur me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si kusht që Këshilli Evropian të vendosë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare.

“Gjykata kushtetuese duhet të bëhet sa më shpejt. Unë e kam thënë ketë shumë herë ketu në Pogradec, Tiranë. Të gjithë personalitetet e politikës, pavarësisht ngjyrave, janë të ndërgjegjshëm për këtë. Është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të ndërtohet dhe të fillojë të punojë, sepse ka një sërë problemesh të rëndësishme që janë përpara saj. Edhe Gjykata e Lartë është shumë e rëndësishme të fillojë të punojë, por kjo është në një fazë më të avancuar se Kjykata Kushtetuese. Unë nuk pranoj të zëvendësoj autoritetet shqiptare, sepse vetë ata e njohin Kushtetuesen dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Përsa i përket Këshillit Politik nuk mund të them gjë, sepse kjo nuk më përket. Është mirë që ky këshill të vazhdojë punën e tij me një inteligjencë të mirë, sepse ata e dinë si duhet të funksionojnë dhe s’kanë pse t’ua thonë diplomatët”.