TIRANË-“Shqipëria ka ende shanse për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. 

Këtë e ka pohuar sot, gjatë një deklarate për mediat, pas konferencës “Diplomacia në epokën dixhitale”, Carolla Muller-Holtkemper, Ambasadore e Gjermanisë në vendin tonë. Sipas saj, vendi ynë duhet të kryej reformat dhe të mriatojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli. 

“Shqipëria humbi një mundësi për të marrë statusin e BE-së, por nuk është çdo gjë e humbur, pasi kërkohet realizimi i reformave në luftën kundër korrupsionit dhe miratimi në Kuvend i tre ligjeve të kërkuara nga Bashkimi Europian” tha ambasadorja gjermane Muller-Holtkemper. 

Ndërkohë e pranishme në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Fondacionin Hanns-Seidel, me temë: “Sfidat e Diplomacisë Publike në epokën dixhitale”, ambasadorja gjermane solli shembullin e Gjermanisë, në dixhitalizimin e diplomacisë. 

Në fjalën e hapjes, kreu i diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti tha se, institucioni që ai drejton është zhvendosur nga propaganda në konkretizimin e çështjeve. 

“Takimi i sotëm është dëshmi e qartë e bashkëpunimit të ngushtë mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe shoqërisë civile, prandaj ju garantoj se institucioni që unë drejtoj do të jetë shumë aktiv në misionin e tij diplomatik, në kuadrin social, ekonomik etj”, theksoi ai. 

Sipas Panaritit, “gjenerimi i ideve duhet të jetë pikënisje e rrugës sonë dhe dialogu duhet të përfaqësojë shinat ku do të përqendrohet misioni ynë”. Panariti tha se, "epoka dixhitale na vendos përpara disa sfidave të cilat Ministria e Punëve të Jashtme është e vendosur, që në bashkëpunim me partnerët ti tejkalojë". 

Synimi i konferencës ishte mbledhja në një tryezë e ekspertëve të fushës, diplomatëve, politikbërësve, studentëve të diplomacisë etj për të bashkrenduar idetë, duke njohur edhe eksperiencat e huaja, në përqasjen e diplomacisë në epokën e dixhitalizimit.