27 korrik 2015 – “Eja, dua të të takoj!” Ky është mesazhi që ka futur në kurth Ismael Lullin, 17-vjeçarin shqiptar i cili u ther në mënyrë të pabesë dhe të tmerrshme nga dy shokët e tij shqiptarë Igli Meta dhe Marjo Mema.
Teksti i mesazhit telefonik që çoi Ismail Lullin të takonte vrasësin e tij nuk është dërguar nga telefoni i Igli Metës, por nga numri i Ambrës (Ambera Saliji), 19-vjeçares nga Maqedonia.
“Tgcom” shkruan se Ambra ia ka dërguar mesazhin Ismaelit, pas kërkesës së të dashurit të saj, Igli Metës. Më pas ajo i ka kërkuar të dashurit të saj që t’i shpjegojë përse duhet ta bënte këtë, dhe ai i ka thënë: “Do ta vras”.
Ambra, e cila është vënë në qendër të polemikave në Itali, që pas deklaratave të saj se e dashuron të dashurin e saj vrasës dhe do e presë gjithë jetën, nuk figuron mes personave fajtorë të vrasjes së të riut. Ajo i ka thënë hetuesve italianë që nuk e kishte menduar se ai do ta vriste, raporton “Tgcom”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/