Nga Artur ZHEJI

Prindërit në Tepelenë i kanë vënë emrin Ambrozia, gazetares së re, që shkalafiti nervat e kryeministrit me qetësinë e saj dhe me llogjikën e thjeshtë dhe të saktë të argumentit.
Ballë për ballë dhe ftohtësisht e në mënyrë “vrastare”, Ambrozia, krejt e panjohur deri pardje, “detyroi” kryshefin të ndërpresë konferencën për shtyp me pyetjen e pafajshme se: “Përse ministrat e brendshëm të Ps, duhet të kenë patjetër diçka të lidhur me trafikun e drogës?…”

Vesi i përhershëm i Ramës, pasionant për të shtypur gazetarë e gazetarucë, veproi pa vëmendje edhe në rastin e Ambrozias nga Tepelena, që punon për Fax News. Gazetare e re, në një antenë Tv, të re dhe ambicioze.
Mirëpo “Tepelena” që ka pjellë edhe Gramozin edhe Saimir Tahirin, vazhdon të pjellë trima e trimëresha, kështuqë shtypësi i gazetarëve, u krruajt më shumë se çduhej, dhe u bë për turp të të gjithëve ne që e kemi kryeministër, qesharak, nga një pothuajse fëmijë me mikrofon në dorë.

Dhe të mendosh që emri Ambrozia, ka prejardhjen nga “Ambrotos”, që në pellazgjishte apo në greqishte të vjetër, përdorej si mbiemër dhe do të thotë: “E pavdekshme”. Ndërsa në mitologji, ishte një “ushqim erëmirë me të cilin ushqeheshin Perënditë” dhe madje shërontë çdo plagë zjarri, shpate apo heshte…

Por me sa duket cilësitë e lashta të “Ambrotos së Perëndive” të lashta, në gazetaren tepelenase me emrin Ambrozia, janë pasuruar me kalimin e viteve dhe në malet krenare të Tepelenës, edhe me atë helmin vrastar që dikur ngjyenin shigjetat.
Por çfaj kishte gazetarja Ambrozia, kur më i gjati i kryeministrave, kërkon të bëjë karshillëk me një gazetare që bën thjesht detyrën e saj dhe ndërtoi për fat të saj, një pyetje të mençur?
Apo sepse e kishte edhe mbiemrin “Meta”, gazetarja nga Tepelena?
Kohëra qesharake.

Por le të shpresojmë që brezi i Ambrozias, do të mund të fillojë e ti ndryshojë e të largojë uzurpatorët arrogantë të banaqeve dhe foltoreve, nga cilado parti qofshin, ashtu si rasti më i fundit, kur kryeministri kafshoi gjuhën dhe mirë bëri dhe liroi foltoren duke i thënë Ambrozias: “Eja këtu dhe drejtoje ti konferencën për shtyp!”
Në të vërtetë pyetja që lind është: Çfarë do të na thosh nga ai banak e nga ajo foltore Ambrozia?
Në mos sot nesër, ajo dhe shoqet e saja?

/360grade.al/