Të tjerë persona në Durrës dyshohen se janë prekur nga koronavirusi, merret me ambulancë nga shtëpia një i moshuar.
Mësohet se bëhet fjalë për një person rreth 78 vjeç, i cili banon në një nga pallatet e lagjes katër në qytetin bregdetar.
Sipas fqinjëve të të moshuarit, ai vuan nga mushkëritë dhe është infektuar nga i biri, rreth 40 vjeç që është kthyer nga Italia një javë më parë.
Të frikësuar dhe të shqetësuar nga këto dy raste në të njëjtën familje, fqinjët tregojnë për “DurrësLajm” se kanë kërkuar dezinfektimin e pallatit dhe kanë telefonuar 129-ën dhe 127-ën.
“E morëm 129-ën në telefon për t’i treguar problemin e shqetësimin tonë” thotë qytetarja ndërsa tregon se përgjigjja që ka marrë nga ana tjetër e telefonit është:
“Ç’punë kam unë të merrem këtë punë”, dhe më pas është mbyllur telefoni.
“Më pas telefonuam 127-ën. Urgjenca na tha që nuk merremi ne me këtë punë, telefononi 129-ën. Ping-pong me njëra-tjetrën. Cili është institucioni që merret me këtë punë? Ne jemi të shqetësuar, atë erdhën e morën me ambulancë, një nga infermierët na tha që është me koronavirus, ata ishin veshur nga koka te këmbët të mbrojtur.”, thotë qytetarja për “DurrësLajm” ndërsa tregon se 78-vjeçarit ishte në gjendje të rëndë.





