TIRANE 13 maj 2014 – Kompania e telefonisë celulare “AMC” e mbylli vitin 2013 me një xhiro totale në vlerën e 86.2 milionë eurove. Sipas të dhënave financiare të publikuara nga kompania mëmë, grupi “OTE”, xhiroja e “AMC” pësoi një rënie me 2.7% krahasuar me vitin 2012.
Rënia e xhiros ka ardhur si pasojë e konkurrencës gjithnjë e më të ashpër në tregun me pakicë, por edhe për shkak të uljes së tarifave të terminimit (interkoneksionit) mes kompanive, vendosur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. AKEP ka nisur procesin e orientimit në kosto të tarifave me shumicë të telefonisë celulare që prej vitit 2011, faktor që ka dhënë ndikimin e vet në uljen e të ardhurave të operatorëve.
Por, pavarësisht nga rënia e të ardhurave, AMC arriti të zgjeronte marzhin e fitimit EBITDA, që mat fitimin para interesit, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit, në 39.1%, nga 33.1% që kishte qënë në vitin 2012. Në vlerë emërore, kjo përkthehet në fitim vjetor bruto prej rreth 33.7 milionë eurosh, nga 29.3 milionë euro që pati qënë fitimi i vitit 2012. Kjo tregon se pavarësisht nga kriza dhe konkurrenca në rritje, telefonia e lëvizshme ngelet një ndër tregjet më fitimprurëse në ekonominë shqiptare.
Në fund të vitit 2013, AMC raportonte rreth 2.1 milionë abonentë, në rritje me afro 10% krahasuar me një vit më parë. Që nga viti 2008 e në vazhdim, “AMC” ka humbur ndjeshëm pjesë tregu ndaj “Vodafone Albania” sipas totalit të të ardhurave dhe numrit të abonentëve, por megjithatë po arrin të ruajë një përfitueshmëri mjaft të lartë.
/Scan Tv/





