Sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë ditën e pavarësisë. 4 korriku i këtij viti shënon 240-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-së është njëri ndër dokumentet, ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari Tomas Xheferson.

Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare. Qytetarët amerikanë festojnë në mënyra nga më të ndryshmet.