Dr. Bledar Kurti
(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)
Në kundërshtim me besimin e gjerë të pasaktë, Amerika NUK është dhe as NUK u mendua e NUK u krijua të ishte një demokraci e pastër. Amerika është një REPUBLIKË.
Thënë thjesht, demokraci do të thotë dy ujqër e një dele që votojnë kë do hanë për drekë, pra, sundimi i shumicës, ndërsa republikë do të thotë e drejta e të gjithëve, një sistem që mbron pakicën nga shumica kur ajo është e padrejtë dhe siguron kushtet për liritë politike dhe shoqërore të gjithësecilit.
Ndërkohë që me votën e shumicës, pra me demokraci, Sokrati u dënua të pinte kupën me helm dhe Krishti të kryqëzohej sepse turma votoi për lirimin e shkelësit Baraba, Republikë do të thotë se asnjë pjesë e komunitetit nuk ka monopolin e drejtësisë, politikës dhe vendimmarrjes, por të gjithë individët, të pasur e të varfër, të shkolluar e të pashkolluar, elitat dhe njerëzit e zakonshëm, janë pjesë e të mirës së përbashkët.
Si lidhet kjo me situatën e tanishme, ku në Shtëpinë e Bardhë ka pllakosur paniku i humbjes së zgjedhjeve presidenciale në nëntor të këtij viti? Dhe, përse është tejet e rëndësishme për mbarë botën?
Sepse përpjekjet e vazhdueshme të dekadave të fundit për ta tjetërsuar republikanizmin amerikan me demokraci të drejtpërdrejtë, kryesisht në lidhje me heqjen e Kolegjit Zgjedhor (një filtër i qëllimshëm dhe efikas që nuk lejon amerikanët të votojnë drejtpërdrejtë presidentin, për të evituar monopolin e shumicës, por siguron zgjedhjen e një numri delegatësh të cilët më pas zgjedhin presidentin, por edhe me zhbërjen e institucioneve themeltare të shoqërisë si familja, besimi, tradita, etj) kanë çuar në krijimin e disa elitave të cilat kanë rolin kryesor të vendimmarrjes, e kësisoj përcaktojnë drejtuesit e shtetit.
Ndaj edhe sot, sidomos pas debatit televiziv në CNN midis rivalëve Trump dhe Biden, i cili dështoi në mënyrë spektakolare për shkak të problemeve konjitive të shkaktuara nga dementia dhe mosha e thyer, u duk qartë e u pa nga e gjithë bota, se ka diçka serioze që nuk shkon me qeverisjen, politikën dhe median amerikane.
E mbi të gjitha u pa qartësisht se elita të caktuara kanë manipuluar prej vitesh opinionin e gjerë publik amerikan dhe ndërkombëtar.
E para ndër këto elita është media. CNN, New York Times, The Economist, e media të tjera të cilat sot kërkojnë largimin e Biden nga gara presidenciale, ishin mbrojtësit më fanatik të tij gjatë viteve të fundit, deri në pikën e sulmit, njollosjes, demonizimit dhe censurës ndaj kundërshtarëve të cilët ata i konsideronin pakicë e parëndësishme.
E megjithatë, loja vazhdon. Për shkak të sondazheve që parashikojnë humbje të thellë të Biden, elitat, sidomos ajo mediatike, e ekspozoi në mënyrë të qëllimshme në sytë e mbarë botës, paaftësinë konjitive të një shtetari të moshuar, duke hedhur kështu në treg planin e zëvendësimit me një kandidat tjetër që mund të ketë më shumë gjasa të fitojë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Por, sa e trishtueshme dhe sa shumë efekte globale ka patur e gjithë kjo mendësi manipuluese në emër të shumicës! Gjatē presidencës Biden, me elitat në hije, u ndezën dy luftra tragjike si ajo Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Gaza.
Edhe pa hyrë thellë në analizimin e debatit televiziv Trump – Biden të 27 qershorit në CNN, natyrshëm shtrohen pyetjet, cilët janë vendimmarrësit e vërtetë në politikën e jashtme amerikane?
Si do ishte bota gjatë tre viteve të fundit dhe sot nëse do ishin zbatuar parimet e republikanizmit dhe jo të sundimit të elitave në emër të shumicës politike? Dhe, a do ndryshojë kurs qëndrimi i politikës së jashtme amerikane pas 5 nëntorit nëse ndodh rotacioni në Shtëpinë e Bardhë?
Amerika është vendi me Kushtetutën dhe qeverisjen më unike në botë. Vendi i njerëzve të lirë. Qyteti mbi kodër. Kjo periudhë tranzitore do kalojë siç kanë kaluar edhe shumë sprova të mëparshme, sepse në themelin e saj e si thesar të përjetshëm të saj Amerika ka lirinë.
Në mbyllje, për sqarim e kthjellësi argumenti publik, republika është sistem, demokracia është mekanizëm për ta përmbushur mirëfunksionimin e këtij sistemi. Pjesa më e madhe e shteteve të botës e kanë në emërtim të tyre se janë republikē, përfshirë edhe vendin tonë: Republika e Shqipërisë.
Gjithashtu, pjesa më e madhe e shteteve të botës e konsiderojnë veten demokratike, por vetëm 10% prej tyre janë vërtetë demokratike. Për të ndërtuar një tē ardhme më të mirë për të gjithë ne e mbarë globin, duhet që të mbahemi fort pas vlerave themeltare të patjetërsueshme historike e shoqërore, pa rënë pre e mendësive manipuluese.
Dhe në këtë betejë të vazhdueshme e të stërhollë, intelektualët luajnë rolin më kryesor.
Mos u kompromentoni! Mos u tregoni indiferentë! Mos flini! Zgjohuni! Kontribuoni në ruajtjen e vlerave, paqes dhe të integritetit njerëzor të çdo kombësie!