Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndëshkojnë Bjellorusinë pas arrestimit të gazetarit kritik me shtetin, Roman Protasevich.

Pas uljes së detyruar të një aeroplani pasagjerësh në kryeqytetin bjellorus, Minsk, qeveria e SHBA tha se do të rivendoste sanksionet kundër nëntë ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse javën e ardhshme.

Megjithatë ende nuk janë bërë të ditur se cilat do të jenë ndërmarrjet që do të preken nga masat të cilat bëhet e ditur se do të zbatohen prej së mërkurë.

Nga ana tjetër mësohet se po përgatiten masa dhe ndaj mbështetësve kryesor të Lukashenkos, i cili akuzohet për shkelje të të drejtave të njeriut, korrupsion por dhe manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Më herët edhe Bashkimi Evropian vendosi masa shtërnguese ndaj Bjellorusisë duke bllokuar fondin me 3 miliardë euro ndihma si dhe duke mos lejuar uljen e avionëve të Bjellorusisë brenda territorit të unionit. 

Paralelisht me këtë veprim u kërkua edhe hetimi i rastit ku avioni u detyrua të kthente drejtim duke u ulur në Minsk.

Gazetari disident bjellorus, Roman Protasevich dhe partnerja e tij u arrestuan në aeroportin e Minskut, ndërsa në një deklaratë për mediet prindërit e tij shprehën shqetësimin se gazetarit i rrezikohet jeta ndaj kërkuan ndihmën e ndërkombëtarëve.

Nga ana tjetër Lukashenko e ka konsideruar të padrejtë vendimin e ndërmarrë nga qeveria e tij duke theksuar se nuk është bërë asnjë shkelje. Qeveria Bjelloruse deklaroi se avioni u kthye pasi rrezikohej një akt terrorist.