DURRËS, 6 nëntor 2014 –  Edhe shtëpia e njohur botuese amerikane  Grove Press ka nxjerrë në qarkullim, më 4 nëntor 2014, përkthimin e romanit të Ismail Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës” me titullin paksa të ndryshuar “Twilight of the Eastern Gods” (Muzgu i zotave lindore).

Në kopertinën e librit është vënë si “nëntitull” një citim nga e përditshmja britanike  Independent: “Kadareja është Kafka i brezit tonë”

Përkthimin në anglisht nga versioni frëngjisht i Jusuf Vrionit “Le crépuscule des dieux de la steppe” (shtëpia botuese  Fayard, 1981) e ka bërë prof. David Bellos, që ka përkthyer më se 20 libra dhe është drejtor programi në  Princeton University që jep çmime për përkthimin.

Ashtu si në Britani edhe në SHBA libri i Kadaresë ka ngjallur jehonë pozitive në qarqet e kritikës letrare dhe në mediet më të mëdha.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/