TIRANË, 15 nëntor 2013 – Pa u “ftohur pilafi”, fill pas deklarimit të Ramës, me sa duket në bashkërendim, njerëzit e Shtëpisë së Bardhë në Tiranë bënë të qartë se Uashingtonit nuk i ngelte hatri nga jo-ja e qeverisë shqiptare për asgjësimin e armëve kimike siriane. Madje ambasada amerikane, në emër të Presidentit Barak Obama dhe sekretarit të Shtetit Xhon Kerri, kanë vlerësuar Ramën për seriozitetin e angazhimit. SHBA thonë se ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike. “Dyrrah”-u boton të plotë reagimin e Uashingtonit. Ndërkaq lajmin po e shoqërojmë me dy foto nga protesta në Durrës më 15 nëntor 2013, që u mbyll me deklarimin e Ramës. Fotot janë mirësjellje e gazetares Klodiana Haxhiaj.

Deklaratë e Ambasadës së SHBA (15 nëntor 2013)

E respektojmë vendimin e Kryeministrit.  Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurt.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë. Mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike.

Shënim: Deklarata është marrë nga sajti i ambasadës amerikane:http://albanian.tirana.usembassy.gov/latest-embassy-news/2013—deklarata/-deklarat-e-ambasads-s-shba-15-nntor-2013.html

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/