Ashtu si edhe shekuj më parë kur mirëpriste festimet, amfiteatri 2000-vjeçar ka “hapur dyert” për Festivali Ndërkombëtar të Folklorit “Durrës fest”. 16 grupe nga vende të ndryshme të Evropës do të performojnë në datat 2 dhe 3 korrik në skenën e improvizuar të monumentit antik.
Me kostumet, këngët dhe vallet tradicionale të vendeve nga vijnë, pjesëmarrësit krijuan një atmosferë shumëngjyrëshe dhe mjaft të larmishme mbrëmjen e së mërkurës.
Emocionet ishin të pranishme tek pjesa më e madhe e tyre, sidomos për ata që për herë të parë performonin në këtë festival, qofshin ata shumë të rinj apo edhe në prag të moshës së tretë.
“Është hera e parë në këtë festival, por kemi marrë pjesë në festivale të ngjashme më parë. Më pëlqen që ndohem këtu, sepse ju shqiptarët jeni shumë mikpritës.”
“Erdha në Shqipëri vitin e kaluar për pushime, kjo është hera e dytë që ndodhem këtu. Vitin e ardhshëm shpresoj të vi sërish”.
“Jam shumë e emocionuar sepse nuk kam qenë këtu më parë. Shqipëria po më pëlqen dhe njëkohësisht shpresoj të jap më të mirën në këtë festival”.
“Kemi ardhur nga Suedia për të marrë pjesë në këtë festival. Po e shijojmë shumë kohën që po kalojmë këtu, sepse po vizitojmë edhe Shqipërinë”.
Organizatorët e festivalit janë të kënaqur me përgatitjet e bëra për mirëpritjen e grupeve pjesëmarrëse.
“Në festival marrin pjesë 16 grupe që vijnë nga vende të ndryshme si Turqia, Shqipëria, Suedi, Bullgari etj. Të gjitha grupet pjesëmarrëse do të sjellin në skenë traditat, kostumet dhe këngët e vallet popullore të trevave nga vijnë. Për secilin prej tyre, pjesëmarrja në këtë event do të jetë një kujtim i bukur”.
Të shumtë ishin qytetarët durrsakë, por edhe të huajt që ndoqën natën e parë të “Durrës fest”. Ata që nuk mundën ta ndjekin mbrëmjen e së mërkurës, kanë mundësi edhe sonte të shijojnë më të mirën e folklorit të vendeve ballkanike dhe evropiane në skenën e hapur të amfiteatrit.
M.B.





