22 maj 2015 – Sot nisi puna për prishjen e 3 prej banesave që gjenden mbi arenën e amfiteatrit të qytetit të Durrësit. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit kanë mundësuar dëmshpërblimin e banorëve që jetojnë mbi amfiteatër për t’i krijuar mundësi gërmimeve të mëtejshme për zbulimin e plotë të tij.
Të pranishëm në fillimin e punimeve për prishjen e banesave të para, përveç kryebashkiakut Vangjush Dako ishte dhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, e cila sqaroi se gjithçka do të kryhet në mënyrë manuale në mënyrë që të mos ketë asnjë lloj dëmtimi.
Projekti do të kalojë në dy faza. Fillimisht do të prishen 3 objektet e para dhe në një fazë të dytë edhe 9 objektet e tjera. Qeveria shqiptare ka shpronësuar me 46 milionë lekë pronarët e 3 banesave, të cilat po i nënshtrohen procesit të prishjes dhe gjithashtu ka vënë në dispozicion edhe 4 milionë lekë të tjerë për të mundësuar prishjen manuale të banesave dhe reabilitimin e trojeve të tyre.
Por, faza e dytë e projektit do të realizohet pasi të përfundojë sezoni turistik me qëllim që të mos pengohen vizitat që shtohen nga javë në javë, theksoi Kumbaro.
Sipas ministres së Kulturës, ky është një investim shumë i rëndësishëm sepse do të hapë të plotë të gjithë harkun e Amfiteatrit të Durrësit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/