Turistë të shumtë nga shtete të Evropës dhe botës ndesh çdo ditë në rrugët e Durrësit dhe pranë monumenteve të trashëgimisë kulturore. Kjo konfirmon dhe njëherë faktin se vitet e fundit qyteti bregdetar është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar për të huajt, që adhurojnë natyrën e bukur dhe trashëgiminë e pasur kulturore.
Disa grupe turistësh po vizitonin sot amfiteatrin e Durrësit, por vetëm nga jashtë, pasi monumenti më i rëndësishëm i antikitetit është i mbyllur të hënën.
Në një kohë, kur Muzeu Arkeologjik, ai Etnografik, Hamami etj janë jo të vizitueshëm për shkak të restaurimit, qëndrimi mbyllur i amfiteatrit, qoftë edhe për një ditë, u heq shumë të huajve mundësinë të shohin nga afër këtë aset mjaft të vyer të antikitetit, të mbërritur deri në ditët tona.
Megjithëse janë fqinjët tanë përtej Adriatikut, italianët ende nuk dinë shumë për Shqipërinë.
“Duket se ka dy grupe italianësh që vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Disa vijnë për detin dhe bukuritë natyrore, ndërsa një grup tjetër turistësh vijnë për të parë nga afër trashëgiminë tuaj kulturore. Është e vërtetë që në Itali, dihet pak për Shqipërinë”.
“Erdha për të marrë pjesë në këtë tur kulturor nëpër Shqipëri. Jemi dy vende shumë afër me njëri – tjetrin, por për shumë vite në Itali dihej pak për vendin tuaj. Fillimisht ndodhi eksodi, më pas ngjarja tragjike në kanalin e Otrantos dhe vetëm vitet e fundit italianët po zbulojnë vendin tuaj. Nga ajo çfarë pashë në Tiranë, duket një qytet që ka rend dhe qetësi dhe nuk është shumë kaotik. Durrësin po e vizitojmë sot”,- deklarojnë disa turistë italianë.
Amfiteatri këtë të hënë po vizitohej dhe nga turistë nga Mbretëria e bashkuar dhe Hungaria.
Një guidë hungareze rrëfen se agjencia për të cilën punon sjell çdo vit 5-6 grupe turistësh në vendin tonë. Ndërkohë në Angli, agjencitë turistike po organizojnë ture në 3 vende të rajonit dhe Shqipëria është një prej tyre.
“Hungarezët e pëlqejnë shumë Shqipërinë. Pëlqejnë shumë natyrën dhe detin, pasi tek ju deti është i pastër dhe i ngrohtë. Trashëgimia kulturore është një tjetër aset që i tërheq shumë.”
“Isha në Tiranë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe tani jam këtu në Durrës. Agjencitë turistike në Angli kanë nisur të organizojnë ture disa ditore me vizita në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e zi. Këtu tek ju më pëlqen shumë klima dhe ushqimi, por edhe çmimet. Ju keni çmime shumë të lira.”
Megjithëse jemi ende në atë që konsiderohet si sezon i ulët, qyteti bregdetar ka regjistruar përgjatë 4 muajve të parë të këtij viti shifra të konsiderueshme turistësh duke paralajmëruar një verë të nxehtë dhe me shifra të larta vizitorësh.
M.B.