Neritan Ceka kërkon anulimin e projektit për dhënien me koncesion të Amfiteatrit të Durrësit, siç bëri Italia në rastin e Parkut Arkeologjik të Pompeit. Arkeologu i njohur kritikon promovimin sipas tij, me arrogancë të modelit e menaxhimit privat të aseteve kulturore.

Ceka e quan absurd përjashtimin e arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë dhe të Institutit të Monumenteve nga fazat e projektimit, zbatimit dhe monitorimit. Ai apelon për debat shkencor dhe kulturor para daljes me flamuj partiakë, pas të cilëve në Shqipëri fshihen gjithmonë interesa private. Sipas Neritan Cekës, nuk mund të ketë asnjë menaxhim të Amfiteatrit para se ai të gërmohej plotësisht dhe të restaurohej në frymën e përdorimit të tij për shfaqje artistike.

Teksa projektin e Butrintit e konsideron të gabuar, koncesionin e Amfiteatrit të Durrësit e krahason me shitjen e një shtëpie ende në themele dhe për më tepër, pa paguar asnjë lek. Neritan Ceka thotë se copëtimi i Parkut Arkeologjik paraqet një rrezik për mundësinë e ndërhyrjes së specialistëve në proceset e konservimit dhe restaurimit, sepse privati do të jetë i interesuar vetëm për investimet në sektorët fitimprurës.

Z. Ceka, çfarë po ndodh me pasuritë e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve? Pse po i dorëzohen privatit pasuritë publike, tashmë edhe me vlera historike?

Në pamjen e përgjithshme kemi të bëjmë me aplikimin e një politike të zbatuar prej dekadash në vendet europiane dhe të nisur vetëm dy dekada më parë në Shqipëri, që ka të bëjë me dhënien në përdorim me afat të kufizuar të aseteve kulturore organizmave të specializuara e të besueshme private. Duhet thënë që në fillim se kjo politikë ka qenë zbatuar me shumë kujdes në Itali dhe në Greqi, ku janë bërë edhe hapa prapa, si në rastin e Parkut Arkeologjik të Pompeit, ku menaxhimi privat u anulua pas një radhë dështimesh.

Në Shqipëri shembujt e parë kanë qenë të kufizuar, si në rastin e Kalasë së Petrelës dhe Kalasë së Lëkurësit, dhe nuk mund të konsiderohen si projekte pilot, pra inkurajues. Një përpjekje e bërë për të zgjeruar këtë formë amfiteoze midis Ministrisë së Kulturës dhe privatëve në kohën e qeverisë Berisha pati kundërshtimin e ashpër të opozitës së atëhershme dhe pikërisht të personave që promovojnë tani me një lloj arrogance modelin e menaxhimit privat të aseteve kulturore. Parashtrimi i këtij lloj menaxhimi si objekt i diskutimit politik pozitë-opozitë mendoj se e ka dëmtuar konceptimin e drejtë të kësaj politike kulturore, që duhej shtruar fillimisht si debat shkencor dhe kulturor para daljes me flamuj partiakë, pas të cilëve në Shqipëri fshihen gjithmonë interesa private.

Pas Butrintit, qeveria po jep me koncesion edhe Amfiteatrin e Durrësit. Çfarë rreziqesh mbart ky projekt?

Butrinti ka qenë padyshim një rrugë e gabuar për realizimin e një projekti serioz. Debati i zhvendosur tërësisht në planin politik ka krijuar një re të zezë objeksionesh, rezervash, dyshimesh, që do ta errësojë për shumë kohë ecurinë e zbatimit të atij projekti. Prandaj, e konsideroj shumë të parakohshme hapjen e një diskutimi të dytë për një vlerë gjithashtu të rëndësishme të trashëgimisë sonë arkeologjike.

Çfarë ndryshimi ka mes këtyre dy siteve…?

Ka një ndryshim themelor midis të dy siteve, sepse Butrinti përbën një unitet me të gjithë monumentet dhe muzeun arkeologjik të tij, ndërsa amfiteatri është një njësi e veçantë e një uniteti më të madh, që është Parku Arkeologjik i Dyrrahut. Përveç Amfiteatrit, në të bëjnë pjesë edhe Muzeu Arkeologjik i Durrësit, muret rrethuese të perandorit Anastas, tërmet dhe Macellum, apo tregu i mbyllur i qytetit të periudhës bizantine.

Projekti i këtij parku është në përpunim e sipër me një financim serioz prej disa dhjetëra milionë dollarësh nga Fondi Amerikan Shqiptar për Zhvillim (AADF), që janë planifikuar të investohen në pjesën kryesore pikërisht tek Amfiteatri. Tani që diskutohet, një studio e specializuar po punon për projektin e restaurimit të teatrit, të termeve, të Macellum, të mureve rrethuese, etj.

Pra, kësaj i thonë që ta shesësh shtëpinë ende në themele dhe, për më tepër, pa paguar asnjë lek! I vetmi privat që do të pretendonte marrjen në administrim të Amfiteatrit dhe të gjithë parkut të ardhshëm të Dyrrahut, do të ishte vetë financuesi i projektit, pra AADF. Dhe nëse do të jetë kështu, përse do të duheshin këto pirueta të tipit komunist, ku vendimet e partisë i paraqiten popullit për të diskutuar. Nëse do të ndiqej një shembull evropian, nuk ka asnjë pengesë që ky të ishte ai i “British Heritage”, pra krijimi i një Fondacioni për Trashëgiminë Kulturore, që do të menaxhonte të gjithë parqet arkeologjike, kalatë dhe qytetet muze të Beratit e Gjirokastrës, por edhe Pallatin e Brigadave dhe pasuri të tjera të atij karakteri nën administrimin e sotëm shtetëror.

A po masakrohen vlerat historike të Durrësit antik duke dhënë me koncesion sitin arkeologjik?

Copëtimi i Parkut Arkeologjik natyrisht parqet një rrezik për mundësinë e ndërhyrjes së specialistëve në proceset e konservimit dhe restaurimit, sepse privati do të jetë i interesuar vetëm për investimet në sektorët fitimprurës, siç ndodhi në rastin e privatizimit të menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Pompeit në Itali. Për Shqipërinë na mjafton rasti i Kështjellës së Lëkurësit, ku monumenti është maskuar plotësisht nga ambientet e shërbimit. Ajo që do të masakrohet me të vërtetë është pikërisht vlera historike e Dyrrahut antik dhe Durrësit mesjetar.

I pari përmban në nëntokën e tij monumente ende të pazbuluara, si teatri antik, stadiumi, tempujt, biblioteka, të përmendur nga burimet historike dhe mbishkrimet, që rrezikohen nga invazioni i ndërtimeve, të vetmet për të cilat privati menaxhues do të jetë gjithmonë i interesuar të zhvillohen. Durrësi mesjetar ka qenë zemra që ka gjalluar formimin e kombit shqiptar në tërë territorin që shtrihej rreth tij dhe që njihej si Arbëria.

Ajo që i duhet tani Durrësit është konsolidimi i grupit të specialistëve të krijuar që në mesin e shekullit të kaluar nga Vangjel Toçi, zbulues të amfiteatrit, termeve, Macellum, skulpturave dhe vazove, krijues të Muzeut Arkeologjik nga më të pasurit e Adriatikut, botues të dhjetëra librave e artikujve, me emra të shquar si Moikom Zeqo, Afrim Hoti, Hava Hidri, Lida Miraj, etj. Kam të drejtë të pyes këtë gjeneratë ufosh që drejtojnë dekadat e fundit trashëgiminë kulturore, se përse ora arkeologjike e Durrësit ka ngecur ende në vitet ’80 dhe përse ata kanë zëvendësuar Toçët, Zeqot, Hotët, e dikurshëm me rrogëtarë mjeranë, të cilëve para së gjithash u mungon dashuria për Durrësin?

A ishte e domosdoshme një ndërhyrje e tillë në qytetin antik të Durrësit? Çfarë fsheh ky projekt? Çfarë i mungon Amfiteatrit…?

Këtij projekti absurd i mungon transparenca dhe çdo arkeolog do të thoshte se nuk mund të ketë asnjë menaxhim të Amfiteatri para se ai të gërmohej plotësisht dhe të restaurohej pikërisht në frymën e përdorimit të tij për shfaqje artistike. Çdo arkeolog do t’ju siguronte, se me optimizmin më të madh gërmimi dhe restaurimi do të kërkonin të paktën katër, apo pesë vjet. Vetëm kjo do të mjaftonte për të dëshmuar amatorizmin që karakterizon të gjitha ndërhyrjet e Ministrisë së Kulturës në fushën e arkeologjisë. Në se pyesni për privatizimin e menaxhimit, jam i sigurt që nuk do të gjeni asnjë arkeolog me mend në kokë që ta miratojë në këtë fazë, ku gjendet projekti i krijimit të Parkut Arkeologjik të Dyrrahut. Prandaj, Ministria pyet popullin e “facebook”-ut me “like”-sat e porositur!

Ky plan, është hedhur për konsultim publik dhe financohet nga AADF, me një afat kohor nga 5 deri në 15 vite…

Është një projekt serioz, për të cilin kam qenë ftuar të punoj së bashku me kolegun tim, prof. Luan Përzhita dhe shpresoj që të mos devijohet nga rruga që është përcaktuar në fazat e projektimit e të zbatimit, ku Amfiteatri përbën thelbin e projektit.

Projekti prek zonat muzeale të Durrësit, por ndërhyrja me e fortë sugjerohet për Amfiteatrin e Durrësit. Çfarë fazash duhet të ndjekë restaurimi?

Ky është projekti në zhvillim, të cilin unë e mbështes. Natyrisht që ka një diskutim për banesat e vjetra te citadelës, që janë dëmtuar nga tërmeti, nëse duhet të restaurohen, apo të shemben. Unë jam për zgjidhjen e dytë, sepse nuk mund të restaurohen banesa pa vlerë arkitektonike dhe që nuk janë në listën e monumenteve. Së dyti, citadela është vendi i agorasë së qytetit antik, që duhet të bëhet objekt kryesor i gërmimeve arkeologjike, për të krijuar sipërfaqe të reja për vizitorët e interesuar.

Ndërhyrja tjetër e rëndësishme është te banjat romake dhe forumi bizantin. Çfarë risku ka një ndërhyrje e tillë?

Asnjë risk, përkundrazi projekti ka parashikuar krijimin e një kompleksi të vizitueshëm, përmes plotësimit të gërmimeve arkeologjike dhe konsolidimit të strukturave. Kjo është një hapësirë që duhet vizituar nga brenda, përmes shtigjeve që nuk dëmtojnë strukturat dhe krijojnë mundësinë për të parë fazat e ndryshme të zhvillimit të qytetit që nga periudha e sundimit romak në atë bizantin.

Plani parashikon edhe ndërhyrje të tjera si përcaktimi i zonave arkeologjike detare, por dokumenti i hartuar nga AADF, a bazohet ne ligjet shqiptare për trashëgime kulturore, i cili u lejon privateve te menaxhojnë pasuri të tilla?.

Të gjitha ndërhyrjet, duke përfshirë ato në Muzeun Arkeologjik dhe në detin e lidhur me Dyrrahun antik dhe mesjetar janë bërë në konsultim me arkeologët e Institutit të Arkeologjisë. Ajo që nuk është bërë dhe që përbën praktikën absurde të Ministrisë së Kulturës është përjashtimi i arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë dhe të Institutit të Monumenteve nga fazat e projektimit, zbatimit dhe monitorimit. Ministrisë së Kulturës i mungon kultura minimale e etikës profesionale, që respekton të drejtat e autorëve në trajtimin e pasurive arkeologjike. Me që sipas ligjit, kjo Ministri konsiderohet si pronare e trashëgimisë arkeologjike, mendon se kjo pronësi fizike shtrihet edhe mbi pronësinë intelektuale.

Burokratët kalimtarë të Ministrisë nuk lexojnë deri në fund ligjin që e njeh atë pronësi dhe natyrisht kjo bëhet me qëllim për të rritur autoritetin e tyre ndaj firmave private të projektimit dhe zbatimit, të cilëve u imponojnë klientët e tyre. Pikërisht në rastin e Durrësit janë përjashtuar nga projekti të gjithë autorët e gërmimeve të amfiteatrit dhe Macellum, si dhe arkeologët e Institutit të Arkeologjisë që vazhdojnë kërkimet në Durrës, pavarësisht se kjo ka qenë kusht kryesor në termat e referencës, Këtu është edhe faji i AADF, që ashtu si për Butrintin bën kompromise të çuditshme me burokratët e Ministrisë së Kulturës. Për fat të keq, kjo është e njëjta praktikë që burokratët ministrorë u munduan ta zbatojnë edhe në rastin e Bylisit dhe që duket qartë që buron direkt nga zyra e ministres Margariti.

Kemi pasur një debat të ashpër me të, së bashku me kolegët e mi autorë të gërmimeve të Bylisit, por duket se edhe për Durrësin vazhdon deviza: fol me atë gur, fol me atë mur! Natyrisht që diskutimi për formën e menaxhimit privat jo vetëm që është i parakohshëm, por diskrediton gjithë vullnetin e mirë të AADF për investimin në Parkun Arkeologjik të Durrësit.

Besoj se për një institucion që ka investuar disa qindra milion dollarë në kulturën dhe arsimin shqiptar, nuk do të ishte e zgjuar që të bënin një investim në Durrës që hap të njëjtin spirale diskutimesh si për Butrintin. Ajo që kemi kërkuar në Termat e Referencës është parashikimi i një sistemi të ri të administrimit të Parkut Arkeologjik të Durrësit nga vetë strukturat e Ministrisë së Kulturës, për autonomi të tyre në nivelin e administrimit privat, si dhe inkurajimi i studiuesve të rinj shqiptarë për të ringjallur epokën e zbulimeve të mëdha arkeologjike në Durrës. Formimi i studiuesve dhe menaxherëve publikë shqiptarë është për Shqipërinë njëqind herë më i rëndësishëm se rritja e 20% të fitimeve që shteti do të ketë nga biletat që shesin privatët.

Si mund të bëhet ndërthurja e biznesit me kulturën? A është metoda më e sigurt për të realizuar ruajtjen dhe mbrojtjen e ndjeshme të pasurive kulturore arkeologjike dhe arkitektonike të qytetit?

Përvojat e deritanishme nuk kanë qenë pozitive dhe dokumenti themelor i UNESCO që festoi këto ditë 50-vjetorin e tij insiston se menaxhimi i trashëgimisë kulturore duhet t’i shërbejë së pari krijimit të identiteteve lokale dhe atyre kombëtare. A është objekti i diskutimit që po organizohet Durrësi si kulm i qytetërimit antik të zhvilluar në antikitet dhe si zemra që me rrahjet e saj ekonomike, kulturore dhe etnike krijoi kombin shqiptar? As mund të mendohet nga politikëbërsit e sotëm kulturorë, që e kanë mendjen te kompania që do të fitojë tenderin e menaxhimit! /Panorama.al