Numri i lartë i turistëve të huaj që kanë vizituar qytetin e Durrësit në 6 muajt e parë të këtij viti është reflektuar në rritjen eksponenciale të vizitave në amfiteatrin e qytetit.

Krahasuar me një vit më parë, shifrat e vizitorëve janë dyfish më të larta dhe po ashtu edhe të ardhurat nga shitja e biletave.

“Duke e krahasuar  me një vit më përpara, amfiteatri ka një rritje me 50% të vizitorëve. Në vitin 2022, ne kemi pasur 5543 vizitorë për periudhën janar-qershor, ndërsa këtë vit kemi gati 50% më shumë sesa ata që kanë qenë vjet. Po e njëjta gjë vlen dhe për të ardhurat nga biletat. Vitin e kaluar kemi mbledhur 1 milion lekë të reja të ardhura, kurse këtë vit kemi mbledhur 2 milionë lekë të ardhura për 6 mujorin e parë të këtij viti”,– thotë për “DurrësLajm” Alban Ramohitaj, drejtori i Qendrës Muzeore Durrës.

Së shpejti amfiteatri do t’i nënshtrohet projektit të rijetëzimit dhe zbulimit të plotë të tij, projekt ky që mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Fatmirësisht, punimet që do të kryhen në këtë monument mjaft të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Durrësit nuk do të shoqërohen me mbylljen e tij.

Aktualisht amfiteatri që i përket shekullit të II të e.s. është ndër të vetmet monumente të vizitueshme nga turistët, pasi Kulla Veneciane, Hamami turk dhe Muzeu Arkeologjik janë ende në proces restaurimi, në kuadër të programit EU4Culture, që mori jetë pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019.

Sipas drejtorit Ramohitajt, hapja e Torrës është tashmë çështje ditësh.

“Në momentin që do të bëjmë hapjen do të jetë kënaqësia jonë që t’iu ftojmë dhe t’ju bëjmë pjesë të promovimit të këtij objekti, tek i cili keni për të parë që do të ketë shumë surpriza. Le t’ia lëmë momentit, kur t’ju ftojmë për hapjen e saj”.

M.B.