Gjatë fjalës së mbajtur në komisionin e ligjeve, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se ishte gati të pranonte propozimin e PD të prezantuar nga Enkelejd Alibeaj i cili kërkon që tu amnistohet vepra penale protestuesve në periudhën 1 tetor 2018 – 31 dhjetor 2020 të cilët vijojnë të jenë në ndjekje penale apo proces gjyqësor.
Manja tha se kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve nëse merr votën e deputetëve mund të përfitojë nga amnestia.
“Organizimi i grumbullimeve e manifestime të paligjshme me pjesëmarrje të paligjshme të personave të armatosur, pra 261, 262, 263 që kanë të bëjnë me tubimet. Nga të dhënat që disponojmë janë afërsisht 100 persona të dënuar, kryesisht me shërbim prove. Në variantin siç është përfitojnë 2500 persona që janë në shërbim prove dhe përfshihet dhe kjo kategori.
Ajo që ka të bëjë me ndjekjen penale, sepse një pjesë janë ende në hetim apo në gjykim dhe nuk ka marrë vendimi i formës së prerë. Kemi kërkuar të dhëna për këtë kategori shumë shpejt do e vëmë në dispozicion. Janë në kategori përfituese.
Lidhur me ndjekjen penale do e shohim amendamentin që ka depozituar Alibeaj por jam dakord që kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve pse jo nëse merr votën e deputetëve nuk kemi kundërshtim”-tha Manja.