Numri i ekzekutimeve të regjistruara në mbarë botën ka arritur nivelin më të lartë në pothuajse një dekadë, me rritjen e vërejtur veçanërisht në Iran, Irak dhe Arabinë Saudite. Amnesty International publikoi sot një raport ku numëroi 1.518 ekzekutime në vitin 2024. Ky numër nuk përfshin mijëra njerëzve që u ekzekutuan në Kinë, e cila mbetet vendi që kreu numrin më të madh të ekzekutimeve në botë.

Sipas raportit të dënimit me vdekje të OJQ-së, numri i personave të ekzekutuar në vitin 2024 u rrit me 32% krahasuar me vitin 2023 dhe arriti nivelin më të lartë që nga viti 2015, vit në të cilin u numëruan 1634 ekzekutime të regjistruara.

Megjithatë, për të dytin vit radhazi, numri i vendeve që kryen ekzekutime vitin e kaluar ishte pesëmbëdhjetë, me fjalë të tjera më i ulëti i regjistruar ndonjëherë. Ashtu si në rastin e Kinës, shifrat për ekzekutimet në Korenë e Veriut dhe Vietnam nuk janë përfshirë në raport, për shkak të mungesës së informacionit të mjaftueshëm në dispozicion.

“Ndërsa fshehtësia rreth këtij dënimi vazhdon të pengojë raportimin në disa vende që ne besojmë se janë përgjegjëse për mijëra ekzekutime, është e qartë se shtetet që ruajnë dënimin me vdekje janë një pakicë e izoluar,” tha Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty, Agnes Callamard në një deklaratë për shtyp që shoqëronte raportin.

Sipas OJQ-së, Irani, Iraku dhe Arabia Saudite ishin përgjegjëse për 91% të ekzekutimeve të regjistruara vitin e kaluar. Numri i tyre u rrit në të tre vendet. Vetëm Irani kreu 64% të ekzekutimeve të njohura. Të paktën 972 persona u varën, 119 më shumë se një vit më parë.

Në Arabinë Saudite, ku ekzekutimet kryhen me prerje koke, ekzekutimet u dyfishuan, nga 172 në të paktën 345. Dhe në Irak ato pothuajse u katërfishuan, nga të paktën 16 në të paktën 63, sipas Amnesty International. OJQ-ja akuzon në mënyrë specifike Iranin dhe Arabinë Saudite për përdorimin e dënimit me vdekje për të terrorizuar dhe mbyllur gojën e protestuesve dhe disidentëve për çështje politike.

Sipas raportit, vitin e kaluar në SHBA u ekzekutuan 25 persona, një numër ky që është rritur me një që nga viti 2023. Krimet që lidhen me trafikun dhe përdorimin e drogës përbënin mbi 40% të ekzekutimeve të kryera në mbarë botën, thekson Amnesty International, duke specifikuar se shumë prej tyre janë kryer në Kinë, Iran, Arabi Saudite dhe Singapor.