Partia Socialiste mblodhi këtë të martë grupin parlamentar. Në përfundim, kreu i saj, Bledi Çuçi pati një prononcim për mediat ku tregoi çfarë ishte folur. Ai u shpreh se nëse amnistia penale do të jetë gati për të hyrë, mund të miratohet që në seancën e kësaj të enjteje. Ndërkohë u shpreh se PS është e qartë që nuk do të tolerohet asnjë person që është gjykuar nga GJKKO.

“Besoj nëse do jetë gati për të hyrë në seancën e të enjtes ne do ta miratojmë që këtë të enjte. Thjesht po presim propozimet e tyre që në parim kemi rënë dakord. Ata janë dakord me gjithë propozimet tona, apo me projektin tonë që kemi sjellë. Mund të ketë axhustime të vogla. GJKKO e kemi thënë nuk do të tërhiqemi në sensin që nuk do të ketë tolerancë për ata që janë gjykuar nga GJKKO. Këtë qëndrim e kemi mbajtur, e kemi publikuar, e ka thënë ministri i Drejtësisë, aty nuk kemi asnjë diskutim. Ai është qëndrim që ne e kemi të prerë”, tha ai.

Sa i përket kërkesës së PD-së për të përfshirë edhe personat që kanë bllokuar eskortën e kryeministrit apo dëmtuar materiale zgjedhore në 2019, Çuçi tha se ato janë çështje teknike.

“Për këto gjëra do rakordohen edhe me strukturat e kodifikimit që ka struktura e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që ta kemi sa më të plotë”, u shpreh ai.  

“E enjte e madhe nuk e di çfarë quan, por besoj nëse bëhemi gati ne do të votojmë ligjin për amnistinë dhe besoj kjo është çështja”, përfundoi fjalën e tij Çuçi.