Qeveria rikthen amnistinë për apartamentet, ku u jep edhe një herë të drejtën qytetarëve dhe bizneseve që kanë në pronësi pasuri të paluajtshme ta rivlerësojnë atë me çmimin aktual të tregut dhe t’i paguajnë shtetit si detyrim vetëm 2 për qind të diferencës nga 15 për qind që paguhet sot.
Taksa që do të paguhet do të llogaritet nga diferenca e vlerës së rivlerësimit të apartamentit dhe vlerës së mëparshme dhe do të jetë 2 për qind e kësaj diference. Gazeta zbardh të plotë projektligjin “për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme” të miratuar në mbledhjen e djeshme të qeverisë, që do t’i kalohet për miratim Kuvendit.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, afati i zbatimit të amnistisë parashikohet deri më 31 dhjetor të 2016-s.
Aktualisht tatimi i fitimit për shitjen e apartamenteve është 15 për qind, por me projektligjin e ri tatimi i fitimit do të jetë 2 për qind për qytetarët dhe 3 për qind për biznesin. Sipas draftit të qeverisë, miratimi i projektligjit do të ketë efekte të drejtpërdrejta në nxitjen dhe formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme.
Qeveria vlerëson se nisur edhe nga përvoja ndër vite, rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme ka sjellë rritje të konsiderueshme të rivlerësimeve të pasurive të paluajtshme shoqëruar edhe me regjistrime të shumë transaksioneve në hipoteka.
SA PËRFITOHET NGA AMNISTIA
Aktualisht, në rast se një person shet një apartament, duhet të paguajë tatimfitimi në masën 15% të fitimit të realizuar. Fitimi del nga diferenca mes çmimit të blerjes së apartamentit dhe atij të shitjes. Kjo diferencë tatohet me 15%.
Kështu, në rast se një person ka blerë një apartament 60 mijë euro dhe e shet atë 70 mijë euro, do të fitojë 10 mijë euro. Nga ky fitim, do të paguajë 15% ose 1500 euro tatim.
Për të rregulluar tregun e shitjeve, pasi për të shmangur tatimin shpesh çmimet e blerjes dhe shitjes deklaroheshin të ulëta, qeveria ka vendosur çmimet minimale fiskale për të gjitha qytetet sipas zonave.
Kjo shërben për të garantuar një çmim tregu dhe për të llogaritur fitimin real të çdo transaksioni. Nga amnistia e re, përfituesit më të mëdhenj janë ata që kanë deklaruar çmime blerjeje minimale dhe të gjithë ata që kanë shtëpi të ndërtuara para vitit 1992.
Apartamentet e viteve të komunizmit janë blerë me çmime të ulëta gjatë privatizimeve të viteve 1990. Kështu, një apartament në qendër të Tiranës, me sipërfaqe 100 metra katrorë, është privatizuar me një çmim prej 30 mijë lekësh. Në rast se pronari i tij do të kërkojë ta shesë atë sot, atëherë çmimi minimal fiskal është të paktën 100 mijë lekë/m², dhe apartamenti vlerësohet 10 milionë lekë.
Në fakt, vlera prej 30 mijë lekësh e privatizimit është indeksuar me kalimin e viteve dhe sot ai llogaritet diku te 1.5 milionë lekë. Kështu, diferenca, fitimi në rast shitjeje, do të ishte 8.5 milionë lekë. Vlera e tatimfitimit prej 15% do të ishte 1.275.000.
Kjo është shuma që do të paguajë çdo qytetar që shet një apartament të vjetër në qendër të Tiranës. Me amnistinë e miratuar dje, tatimi nga 15% bëhet 2%. Në rast se bën rivlerësimin e apartamentit, sipas amnistisë, qytetari do të paguajë vetëm 170 mijë lekë, dhe vlera e apartamentit të tij në Hipotekë do të shënohej 10 milionë lekë.
Kjo do të bënte që në rast shitjeje të shtëpisë në një kohë më të vonë, praktikisht të shmangë tatimin mbi fitimin dhe të fitojë minimalisht 1.105.000 lekë.
E njëjta skemë vlen edhe për pronat dhe asetet e biznesit. Këtu norma nuk është 2%, por 3%. Fitimi edhe në këtë rast për ata që do të rivlerësojnë pronat e tyre është shumë i madh.
/Panorama/





