Tiranë, 10 prill 2014 – Nga dita e sotme do të lënë qelitë e burgjeve 900 të dënuar për krime të lehta, ku pjesa më e madhe përfiton nga amnistia direkte dhe të tjerët nga ulja e dënimit e aplikuar sipas projektligjit të votuar në Parlament dhe dekretuar nga Presidenti. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se sot nis zbatimi i ligjit nr. 22/2014 “Për Dhënie Amnistie”, i cili hyri në fuqi dy javë pas botimit në Fletoren Zyrtare. “Përfitimi nga ky ligj është tërësor, ose i pjesshëm. Nga zbatimi i tij është përllogaritur, se fitojnë lirimin e menjëhershëm rreth 900 të dënuar dhe të paraburgosur. Ndërsa ulje dënimi përfitojnë të gjithë të dënuarit në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale”, deklaroi institucioni. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar zbatimin pa probleme dhe mbarëvajtjen e këtij procesi në të gjithë vendin. Mes përfituesve vlen të përmenden gardianët e Burgut të Drenovës, 15 prej tyre të dënuar me burg, nga të cilët 14 fitojnë automatikisht lirimin si pasojë e uljes me rreth një vit të dënimit. Duke llogaritur pjesën që kanë vuajtur në paraburgim dhe atë që u mbetet, marrin lirinë prej ditës së sotme. Vetëm njërit prej tyre i mbeten edhe disa muaj burgim. Gjithashtu ulje dënimi me një vit ka përfituar edhe Nazime Visha, 20-vjeçarja që vrau të dashurin e saj Fiqiri Muçën në vitin 2012. Por megjithë fushatën e zhvilluar për amnistinë e plotë të dënimit, i mbeten edhe pak vite burg.

Kush përfiton nga amnistia

Amnistia liron ata persona që janë dënuar deri në 3 vjet, ose ajo kategori personash që i kanë mbetur 3 vite dënim, por që nuk kanë kryer vepra penale që cilësohen si krime të rënda. Falja prek edhe të burgosurit e moshuar. Gratë e burgosura, të cilat në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj kanë mbushur moshën 50-vjeç dhe burrat që mbushin 60-vjeç do të përfitojnë nga amnistia, pasi rrezikshmëria e tyre është tejet e ulët. Janë 60 gra dhe 20 të mitur që përfitojnë lirinë gjithashtu. Veç kësaj, është përcaktuar falja me 1 vit e gjysmë të dënimit të grave dhe të miturve, vetëm në rast nëse ata nuk kanë kryer vepra të rënda penale. Pra, nëse këto dy kategori janë dënuar për vepra penale të cilat nuk karakterizohen si krime të rënda dhe kanë për të bërë më shumë se sa tri vite burg, atyre i ulet automatikisht një vit e gjysmë nga dënimi. Aspekti tjetër i amnistisë ishte dhe fakti se nga kjo do të përfitojnë edhe një shtresë e të dënuarve që e kanë marrë këtë vendim nga gjykata edhe për krime të rënda, por që u kanë mbetur fare pak dënim, me disa muaj. Nga amnistia përfitojnë ato persona që kanë kryer 9/10 të dënimit, pavarësisht se mund të jenë të dënuar për vrasje. Nëse një person është dënuar me 15 vjet për vrasje dhe ka kryer 9/10 e dënimit, do të lirohet nga hyrja në fuqi e amnistisë, pasi sipas ligjvënëse të Komisionit të Ligjeve, ata e kanë marrë ndëshkimin nga ligji. Numri i përfituesve direkt ishte rreth 500 persona në burgje dhe paraburgime, por me uljen e një pjese të dënimit lirohen edhe një kategori që u kishte mbetur fare pak burgim për të kryer, nga një vit e gjysmë e poshtë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/