Drejtori i Drejtorisë së Transportit Rrugor në Durrës, Neritan Golja, thotë se për të sensibilizuar të gjithë debitorët, kjo drejtori si fillim bëri lajmërimet në të gjithë institucionet publike të Durrësit, për të kryer çregjistrimin e mjeteve të tyre. Janë një numër i madh automjetesh dhe në dispozicion të tyre janë vënë disa specialistë dhe administrata për të gjithë qytetarët e interesuar. Nga ky ligj janë përjashtuar zyrtarët të cilët e kanë për detyrim të deklarojnë të ardhurat e tyre. 1/3 e këtyre automjeteve vijojnë të mbeten të paregjistruara. Janë saktësisht 8438 mjete të tipeve dhe tonazheve të ndryshme, ndërsa 812 prej tyre janë të evidentuara, i përkasin subjekteve private. Pikërisht këtyre subjekteve dhe qytetarëve këtë javë u ka shkuar lajmërimi i fundit për automjetet. Çregjistrimi i automjeteve të dala jashtë përdorimit nga qytetarët bëhet kundrejt një pagese prej 600 lekësh të reja. Pas 31 marsit, kur mbaron edhe afati për çregjistrimin e mjeteve, qytetarët do të jenë të detyruar të paguajnë të gjitha taksat për mjetin, për çdo vit, të cilin nuk e kanë paguar.

Z. Golja, përpara se të merrnit drejtimin e DRSHTRR ju keni pasur një eksperience të suksesshme në drejtimin e një biznesi privat. Sa keni arritur ta aplikoni të njëjtën frymë suksesi në drejtimin e një drejtorie problematike si DRSHTRR?

Në fakt përpjekjet janë shumë të mëdha në këtë drejtim, por duhet theksuar se ato nuk mund të rreshtin kurrë, pavarësisht vështirësive që hasim në përmbushjen e detyrave. Në vitin 2010, kohë kur unë jam emëruar në këtë detyrë, fluksi i punës ka qenë normal. Por zbatimi i dy ligjeve të rëndësishme të nisura në vitin 2011, siç është amnistia fiskale dhe zbatimi i ligjit për taksën e qarkullimit rrugor, kanë sjellë dyndje shumë të madhe njerëzish, të cilët përftojnë nga këto ligje. Janë mbi 130 automjete në ditë që regjistrohen në sportele, ndërsa paralel ka vijuar çregjistrimi i mjeteve të cilat arrijnë në 23 mijë, në kuadër të amnistisë fiskale. Duhet theksuar se më parë regjistroheshin vetëm 20 mjete në ditë mesatarisht, ndërsa numri është 5-fishuar muajt e fundit. Pikërisht frymën e disiplinës që kërkon një biznes privat, për ta ngritur dhe për ta bërë atë të konkurueshëm në treg jam përpjekur të aplikoj edhe në këtë drejtori. Nuk ka praktikë që merret sot në dorëzim dhe dorëzohet të nesërmen. Çdo praktikë kryhet brenda ditës, pastaj është qytetari ai që vendos nëse qëndron sa të kryhet praktika apo vjen e merr të nesërmen.

Sa është koha mesatare e pritjes dhe e ajo kryerjes se procedurave që ju i ofroni klientëve tuaj. (regjistrim mjeti për herë të parë, çregjistrim mjeti, ndryshim pronësie, rinovim i lejes së drejtimit etj.)?

Në drejtorinë tonë shërbehet në dy drejtime, regjistrimi i mjeteve, ndryshimin e pronësive, regjistrimin e mjetit për herë të parë, lejet ndërkombëtare të regjistrimit të mjeteve, kurse në lejet e drejtimit kemi lejet e drejtimit ndërkombëtar, ndryshimin e lejes nga e vjetra në të re, dhënien e lejeve të drejtimit. Çdo lloj shërbimi është i mbyllur brenda ditës. Problemi qëndron vetëm tek dorëzimi i dokumentacionit, sepse ka dyndje, dhe qytetarët kanë një mori të madhe problemesh, por pas dorëzimit në sportel, koha e kryerjes së procedurale për një mjet është nga 30 deri në 60 minuta. Shërbimet janë konform rregullave. Administrata dhe punonjësit kanë mbingarkesë deri në fund të këtij muaji, pasi në bashkëpunim me drejtorinë tatimore dhe policinë e shtetit, janë gjetur adresat e personave që nuk paguajnë taksat e automjeteve dhe punonjësit u janë drejtuar subjekteve private me lajmërime për ligjin e amnistisë fiskale, por ne shpresojmë që deri në fund të muajit numri i mjeteve që rezultojnë pasive të shkojë në 5.000. Shërbimi ndaj qytetarëve si procesi i pronësisë së mjetit po bëhet brenda ditës.

 

Zbatimi i dy ligjeve të rëndësishme të nisura në vitin 2011, siç është amnistia fiskale dhe zbatimi i ligjit për taksën e qarkullimit rrugor, kanë sjellë dyndje shumë të madhe njerëzish, të cilët përftojnë nga këto ligje. Janë mbi 130 automjete në ditë që regjistrohen në sportele, ndërsa paralel ka vijuar çregjistrimi i mjeteve të cilat arrijnë në 23 mijë, në kuadër të amnistisë fiskale. Duhet theksuar se më parë regjistroheshin vetëm 20 mjete në ditë mesatarisht, ndërsa numri është 5-fishuar muajt e fundit

Në hyrje të drejtorisë suaj të bie në sy një numër kioskash të cilat ofrojnë sigurimin e mjeteve, mendoni se ky shërbim që iu ofrohet qytetarëve është brenda standardeve të kërkuara? A keni menduar të riorganizoni këtë shërbim në ambiente më cilësore? (Rasti i agjencive doganore në port të cilat operonin në kushte skandaloze dhe tashme janë sistemuar në ambiente komode pune duke krijuar një imazh pozitiv si dhe përfitime ekonomike për institucionin.)

Kjo është një pyetje me vend, por këto kioska gjenden jashtë territorit të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Nëse Autoriteti Portual kohë më parë i sistemoi në një godinë të veçantë, kjo ndodhi sepse ato ishin në varësi të këtij autoriteti, ndërsa po të ndalemi në rastin konkret, këto agjenci të siguracioneve të makinave janë në varësi të Bashkisë së Durrësit. I paguajnë taksat si biznes i vogël dhe mundësinë e zhvendosjes e ka vetëm pushteti lokal, për vetë faktin se ato janë jashtë territorit të Drejtorisë së Transportit Rrugor. Nëse këto kioska do të qëndronin në ambientet e drejtorisë tonë, edhe ne padyshim që do të kishim marrë një zgjidhje konkrete.

Në Durrës operojnë një numër i konsiderueshëm i kompanive të transportit. A i ofrohet një shërbim i veçantë këtyre kompanive dhe a mendoni ju që do ndihmohej ky biznes i cili sjell të ardhurat kryesore në institucionin tuaj në qoftë se do të hapej një sportel i veçantë në shërbim të këtyre kompanive ?

Ashtu sikundër kompanive të transportit ne përpiqemi që të gjithë qytetarëve tu shërbejmë me përkushtim, pavarësisht , se nuk ka një sportel të veçantë për këtë biznes. Ashtu si qytetarët që paraqiten për të marrë shërbimet nga kjo drejtori edhe kompanitë e transportit, paraqiten në të njëjtit sportel. Prej disa muajsh ne i kemi kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme që në mënyrë specifike në sportelet e pranimit të dokumenteve të shtohet numri i specialistëve nga tre që janë aktualisht në shtatë, sepse fluksi i qytetarëve dhe bizneseve është në rritje. Për të shmangur radhët por edhe kohën e pritjes në dorëzimin e dokumentacionit është e nevojshme që të rritet edhe numri i specialistëve, në shërbim të taksapaguesve. Ne të gjithë taksapaguesve ju kemi vënë në dispozicion specialistët, dhe infrastrukturën e nevojshme që disponojmë. Nëse do të aprovohet rritja e numrit të specialistëve një sportel do të jetë pikërisht për këtë shërbim.

Në sallën e pranimit të dokumenteve vihet re që ka një numër të madh personash që rinë ne radhë për të bërë pagesat a ka ardhur momenti që këto pagesa të bëhen pranë sporteleve të bankave private? 

Lehtësira ka edhe zbatimi i udhëzimit të fundit të Ministrisë së Transporteve ku thuhet se nuk kërkohet më vendi i banimit, dhe elementë të tjerë, sepse çdo gjë është on-line në sistem. Ne jemi agjenci dhe i shërbejmë me korrektësi të gjithë qytetarëve. E rëndësishme është që qytetari ka përkthim, noterizim të dokumentacionit, në rastet kur ka regjistrim të ri, një fotokopje të kartës së identiteti dhe kryhet procedura. E njëjta gjë ndodh edhe për ndryshimin e pronësisë së automjetit.

23.000 automjete përfitojnë nga ligji i amnistisë fiskale në Durrës, i cili mbyllet në fund të muajit. Këtu përfshihen autovetura, dhe makina të tonazheve të ndryshme

14. 600 qytetarë kanë çregjistruar automjetet e tyre të cilat kishin dalë jashtë qarkullimi ose kanë paguar taksat, duke përfituar nga amnistia fiskale që miratoi parlamenti

8438 mjete të tipeve dhe tonazheve të ndryshme kanë mbetur pa aplikuar për çregjistrimin dhe u ka shkuar lajmërimi i fundit. 812 prej tyre janë të evidentuara

31 mars wshtë afati i fundit i aplikimit për amnistinë fiskale. Më pas, qytetarët detyrohen të paguajnë të gjitha taksat vjetore të prapambetura me vlerën reale

130 procedura në ditë që regjistrohen në sportele, ndërsa paralel ka vijuar çregjistrimi i mjeteve. Më parë regjistroheshin mesatarisht vetëm 20 mjete në ditë 

A janë të kualifikuar punonjësit tuaj dhe a u bëni trajnime të shpeshta për t’i shërbyer më me profesionalizëm qytetarëve ?

Në fakt personeli që unë kam gjetur këtu është i emëruar nga Drejtoria e Përgjithshme e cila ka edhe tagrin për trajnimet e specialistëve sipas çdo shërbimi që ofrohet për qytetarët dhe subjektet e biznesit. Personeli i cili është aktualisht në punë ka kaluar nëpër disa faza trajnimesh nga Drejtoria e Përgjithshme. Unë këtë personel ka gjetur që prej vitit 2010 kur jam në këtë detyrë.

A do ishte utopike për realitetin Shqiptar në qoftë se personat të cilët kanë nevojë për shërbimet tuaja do te mund të linin takime on-line apo me telefon ku t’u përcaktohej ora dhe sporteli ne të cilin ata do të dorëzojnë dokumentet ?A do eliminonte kjo mënyrë pritjet e gjata për të dorëzuar dokumentet ?

Faktikisht rritja e numrit të specialistëve në sportele, për pranimin e dokumenteve do të ulte ndjeshëm fluksin e njerëzve që presin në radhë. Organika e kësaj drejtorie, pavarësisht rritjes së volumit të punës është po ajo e disa viteve më parë dhe e pandryshuar. Reformat që janë duke u ndërmarrë për uljen e kohës së procedurave, padyshim që këtë kanë si qëllim final.

 

 

 

Ligji për amnistinë fiskale

Falja e taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksës vjetore të qarkullimit

1. Për pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, po të pa çregjistruara deri në datën 31 mars 2012, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor (DRSHTRR), kryejnë veprimet përkatëse të çregjistrimit të përhershëm të mjetit rrugor, brenda datës 31.12.2011, kur pronarët e mjeteve, debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të dorëzojnë:

a) formularin e vetëdeklarimit për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR);

b) certifikatën e pronësisë;

c) lejen e qarkullimit;

d) targat e mjetit.

2. Në rastet kur pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, nuk disponojnë, certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën, DRSHTRR-të, bën çregjistrimin e mjetit rrugor, brenda datës 31.03.2012, pasi subjekti të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit, sipas modelit të përgatitur nga D PSHTRR-ja, për:

a) shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit;

b) mungesën e certifikatës së pronësisë;

c) mungesën e lejes së qarkullimit;

d) mungesën e targave.

3. Pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar në ligj, 31.03.2012, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve që nuk janë në qarkullim, DPSHTRR-ja heq nga regjistri aktiv dhe i mban në regjistrin pasiv, të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronarët e këtyre mjeteve.

4. Për pronarët e mjeteve që janë debitore për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, u falen pa pagesë të tilla detyrime.

V. Procedurat administrative dhe të evidentimit që ndjek administrata tatimore. Administrata tatimore nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore, merr masa për evidentimin, dhe sistemimin e detyrimeve tatimore që parashikohen nga ligji nr.10 418, datë 21.4.2011. Procesi i dokumentimit dhe faljes objekt i këtij ligji përfundon në datën 31 mars 2012. . Brenda kësaj periudhe do të kryhen të gjitha sistemimet në kontabilitet dhe në sistemin informatik të tatimpaguesve objekt i këtij ligji.