Qindra të dënuar me burgim, do të lënë qelitë pasi do të përfitojnë nga projektligji për amnistinë. Ministria e Drejtësisë i ka propozuar qeverisë projektligjin për amnistinë, që me shumë gjasë do të miratohet brenda pak ditësh në Parlament.

Në projektligj parashikohen në mënyrë specifike kategoritë përfituese. Kështu, nga amnistia përfitojnë personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Në draft thuhet gjithashtu se përfitojnë personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

Në kategorinë e përfituesve, hyjnë edhe të dënuarat femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, meshkujt, mbi 60 vjeç, si dhe personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Nga projektligji nuk përfitojnë personat e dënuar për krime të rënda, si krime kundër njerëzimit, krime seksuale, krime kundër jetës etj. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti as personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë nga drejtësia.

PROJEKTLIGJ

Nr._____, datë ________

PËR

DHËNIE AMNISTIE

Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I

Neni 1

Qëllimi dhe parimet e ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji.

2. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik.

Neni 2

I dënuar

I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Neni 3

Kriteret për përfitimin e amnistisë

Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:

a) personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, personat e dënuar me kusht, me gjobë apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me kusht, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji), apo personat, për të cilët gjykata ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

d) personat e dënuara femra, që, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

e) personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji;

f) personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre, që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 103, 104, 139, 140 e 141, të Kodit Penal.

Neni 4

Kushtet për dhënien e amnistisë nga vuajtja e dënimit

Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 dhe kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji, u amnistohet:

a) 1.5 vjet, për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.

b) 1 vit për personat e dënuar burra.

Neni 5

Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë

1. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c e 81, 82, 83/a, 83/b, 84, 84/a, 85, të Kodit Penal, si dhe nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;

c) vepra penale, të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafi i dytë i nenit 88, 89/a, 99 të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a dhe 108, 108/a, të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë i nenit 109/b, 109/c, paragrafi i dytë i nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111, të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, paragrafi e dytë dhe i tretë i nenit 117 të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë, të nenit 124, paragrafin e tretë, të nenit 124/b, nenet 128/a dhe 128/b, 129, 130/a, të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, 137, paragrafi i dytë, i nenit 137/a, paragrafi i dytë, i nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafi i dytë, i nenit 141/a, paragrafi i dytë i nenit 143, 143/a, 143/b, 144/a, 152, 175, paragrafi i dytë dhe i tretë, të nenit 180, 181/a, të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 59, të Kodit Penal Ushtarak;

f) vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve të parashikuara në nenet 186, 189, 191 Kodit Penal;

g) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenin 206/a, 206/b, të Kodit Penal;

h) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;

gj) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228, të Kodit Penal;

i) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b e 233, 234, 234/a, dhe 234/b të Kodit Penal;

j) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 248/a, 250, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267, 270, 278, 278/a, paragrafi i dytë, i nenit 279, paragrafi i dytë i nenit 282, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 285, 286, 287, 287/a, 288, paragrafi i dytë, i nenit 289, 290, 298, të Kodit Penal; neni 70, i Kodit Penal Ushtarak;

k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e, të Kodit Penal;

l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 330/a, 331 dhe 332, të Kodit Penal;

l) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

2. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Neni 6

Dispozitë zbatuese

Ngarkohen ministri i Drejtësisë, ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes dhe Prokurori i Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji.

Neni 6

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.